Arijanet Muric po fiton gjithnjë e më shumë besim te Sassuolo. Portierit të Kombëtares së Kosovës i kanë mjaftuar pak ndeshje me fanellën e klubit italian për të bindur drejtuesit se meriton të qëndrojë përgjithmonë në “Mapei Stadium”.
Sipas të përditshmes italiane Tuttosport, Sassuolo është gati të bëjë një investim të rëndësishëm për të blerë përfundimisht kartonin e Muric, i cili aktualisht është i huazuar nga Ipswich Town.
Drejtuesit e klubit nga Emilia-Romagna tashmë kanë njoftuar përfaqësuesit e portierit 26-vjeçar për qëllimin e tyre, në mënyrë që të nisin sa më shpejt negociatat me klubin anglez.
Megjithatë, pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe ulja e klauzolës së blerjes që u përcaktua në momentin e huazimit. Ipswich kishte vendosur një shumë prej 10 milionë eurosh, por Sassuolo dëshiron ta reduktojë këtë vlerë për të finalizuar marrëveshjen në kushte më të favorshme.
Muric, i cili është bërë menjëherë titullar i padiskutueshëm te Sassuolo, ka impresionuar me paraqitjet e tij në Serie A, duke treguar siguri dhe pjekuri në portë.
Forma e tij e lartë ka bërë që klubi italian ta shohë si pjesë të rëndësishme të projektit afatgjatë, ndërsa vetë lojtari është i lumtur në Itali dhe nuk e ka fshehur dëshirën për të qëndruar.
Nëse palët arrijnë marrëveshjen, Muric do të bëhet portieri i parë shqiptar që Sassuolo e blen përfundimisht në historinë e klubit. /Telegrafi/