Paraqitja e kryeministrit në gjykatë, ish-opozita kritikon Kurtin: Për korrupsion refuzon të përgjigjet, për kërcënim jo

news image

Partitë opozitare i kanë reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas paraqitjes së tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku ish-udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, akuzohet për kanosje ndaj Kurtit.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kujtuar refuzimin e Kurtit për të dëshmuar në Prokurori lidhur me dyshimet për korrupsion me rezervat shtetërore.

“Pra, A.K. shkon në gjykatë për të dëshmuar kundër Klinakut, ‘krimi’ i të cilit ishte një status në Facebook. Por, kur bëhet fjalë për aferat milionëshe të vartësve të tij, refuzon t’i përgjigjet prokurorisë. Kush ka sy me pa dhe vesh me dëgju, e kupton se situata është më se e qartë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Po ashtu, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka shkruar se për Kurtin ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale.

“Sot, deputeti Kurti u shfaq në gjykatë si viktimë, në një rast të kanosjes. Veç paramendoni makinerinë e Kurtit dhe VV-së dhe sa kërcënime e kanosje u kanë bërë të tjerëve! Deputeti Kurti po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale”, ka shkruar Bajrami.

Ajo gjithashtu ka rikujtuar refuzimin që Kurti i ka bërë Prokurorisë Speciale pas ftesës për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore.

“I njëjti person refuzon, përçmon dhe injoron thirrjet e Prokurorisë për të dhënë dëshmi si dëshmitar në Prokurorinë Speciale për dallaveret me rezervat shtetërore”, ka shtuar Bajrami.

Ngjashëm ka reaguar edhe Arton Demhasaj, anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Pamje ‘historike’ – Kryeministri në detyrë/Deputeti Kurti, dëshmon në gjykatë për një kërcënim! Ama për aferat me miliona e miliona euro, tendera, korrupsion nuk bën me shku me deshmu në Prokurorin Speciale… aty s’ka kohë me u paraqit, se qenka shumë i zënë me “drejtësi selektive”! Luja Albin, luja… Luja popullit sa të mundesh!” ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti ka kërkuar vazhdimisht që prokurorët t’i shkojnë në zyrë dhe ka theksuar se ka precedent për këtë, por gjykata e ka urdhëruar që të dëshmojë në prokurori. Ai madje është gjobitur për refuzimin e shkuarjes në Prokurori, me një gjobë prej 250 eurosh.

Kurti është ftuar të dëshmojë lidhur me dyshimet e Prokurorisë për rastin e rezervave shtetërore, ku dyshohet se shteti është dëmtuar me rreth 600,000 euro gjatë blerjes së produkteve për rezervën shtetërore.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/