Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka thënë se në takimet e shpeshta me udhëheqësit sindikal nga të gjitha nivelet e arsimit, ka analizuar me kujdes situatën aktuale politike dhe institucionale në vend.
Në këto analiza sipas tyre janë shprehur kritika të argumentuara ndaj partisë që doli e para në zgjedhjet e shkurtit.
“E cila duke mos respektuar vullnetin e qytetarëve për krijimin e institucioneve funksionale, po vazhdon me sjellje që lënë anash prioritetet reale të vendit dhe interesat e punëtorëve të sektorit publik dhe privat”.
“Në vend të trajtimit serioz të kërkesave të grupeve të punësuar, përfshirë edhe ato të punëtorëve të arsimit, kjo parti po i jep më shumë rëndësi çështjeve të emërimeve sesa zgjidhjes së problemeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Si pasojë, është krijuar një boshllëk institucional, ku nuk ka se kujt t’i adresohen kërkesat e punëtorëve arsimor”, thuhet në njoftim.
Përmes këtij njoftimi, SBAShK ka paralajmëruar se shtatori mund të fillojë me grevë të përgjithshme në tërë sistemin arsimor, përcjell Klankosova.tv.
“Duke marrë parasysh se kjo situatë mund të vazhdojë edhe në ditët dhe javët në vijim, SBASHK-u ka intensifikuar komunikimin me udhëheqësit sindikal nëpër komunat e vendit, nga çerdhet, shkollat fillore e të mesme, deri te universitetet, dhe unanimisht është vendosur që të nisin përgatitjet për mbajtjen e një Kongresi të jashtëzakonshëm”
“Ky Kongres do të ketë karakter vendimmarrës për veprime të mëtejshme sindikale. Në të do të shqyrtohet dhe vendoset qartë nëse muaji shtator do të shënojë fillimin e vitit të ri shkollor, apo do të jetë fillimi i veprimeve sindikale, duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme në tërë sistemin arsimor të Kosovës”.
“SBAShK-u mbetet i përkushtuar për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e çdo punëtori të arsimit dhe i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të veprojnë me përgjegjësi, të hapin rrugë dialogut dhe të japin zgjidhje konkrete për kërkesat e punëtorëve arsimor”, thuhet tutje në njoftim.
The post Paralajmëron SBAShK: Shtatori mund të fillojë me grevë të përgjithshme në tërë sistemin arsimor appeared first on Klan Kosova.