Paraburgim për 10 të dyshuar për narkotikë e armëmbajtje – shumica nga Shqipëria

Paraburgim për 10 të dyshuar për narkotikë e armëmbajtje – shumica nga Shqipëria

Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti për krime të rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve, K.A., E.S., Y.S, H.T., V.H., F. F., M.H., S.V.H. dhe M.Xh., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’, ndërsa ndaj të pandehurit Y.S. edhe për shkak të veprës penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe të pandehurve K. A., E.S., Y.S, H.T., V.H., F. F., M. H., S.V.H., M.Xh. dhe Y.S., iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, për secilin veç e veç.


“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë fazë të procedurës, dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale. Gjykata, po ashtu vlerësoj se nëse të pandehurit K. A., E.S., Y.S, H.T., V.H., F. F., M. H., S.V.H., M.Xh. dhe Y.S., lihen në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë ose mund të arratisen me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale, marrë parasysh peshën e veprave penale, e kjo duke marrë për bazë shtetësinë e shumicës së të pandehurve, që rezultojnë të jenë nga Republika e Shqipërisë, gjë që e bënë lehtësisht të mundur arratisjen e tyre dhe në rastin konkret të bëhet e pamundur prezenca e tyre në këtë procedurë, me çka do të vështirësohej edhe rrjedha me sukses e kësaj procedure penale”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e lartpërmendur në bashkëkryerje dhe me dashje pa autorizim kanë prodhuar, kultivuar, përpunuar, nxjerrë ose kanë përgatitur substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik ose substanca psikotrope, në atë mënyrë që gjatë kontrollit janë gjetur sasi e konsiderueshme e substancave dhe bimëve narkotike, armë, municion dhe vegla të tjera që janë në kundërshtim me ligjin për armë.

Ndërkaq, kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/