Papa Leoni XIV priti sot në një takim zyrtar në Selinë e Shenjtë presidentin e Izraelit, Isaac Herzog.
Vizita vjen në një kohë kur situata në Lindjen e Mesme mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte konflikti në Gazë.
Gjatë audiencës private, Papa Leoni dhe presidenti Herzog diskutuan nevojën për një armëpushim urgjent dhe akses të papenguar të ndihmës humanitare për Gazën, lirimin e të gjitha pengjeve dhe rëndësinë e një zgjidhjeje me dy shtete si rruga e vetme drejt paqes.
“Të sigurohet lirimi i të gjitha pengjeve, të arrihet urgjentisht një armëpushim i përhershëm, të lehtësohet hyrja e sigurt e ndihmës humanitare në zonat më të prekura dhe të sigurohet respektimi i plotë i ligjit humanitar“, thuhet në deklaratën e Selisë së Shenjtë.
Pas bisedës, Herzog publikoi një mesazh në rrjetin X, ku theksoi angazhimin e Izraelit për mbrojtjen e krishterëve në rajon:
“Izraeli është i përkushtuar për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve të krishtera në Tokën e Shenjtë. Ne dëshirojmë me padurim një ditë kur popujt e Lindjes së Mesme, Fëmijët e Abrahamit, të jetojnë së bashku në paqe, bashkëpunim dhe shpresë. Të gjithë udhëheqësit e besimit dhe vullnetit të mirë duhet të bashkohen në thirrjen për lirimin e menjëhershëm të pengjeve si një hap i parë dhe themelor drejt një të ardhmeje më të mirë për rajonin,” shkroi Herzog.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!