Panik te Liverpooli, Arne Slot konfirmon mungesën e portierit dhe lë në dyshim sulmuesin francez për sfidën e fundjavës

Panik te Liverpooli, Arne Slot konfirmon mungesën e portierit dhe lë në dyshim sulmuesin francez për sfidën e fundjavës

Arne Slot jep përditësime mbi dëmtimet e Alisson Becker dhe Hugo Ekitike pas humbjes 1-0 ndaj Galatasarayt në Ligën e Kampionëve.

Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka konfirmuar shqetësimet për dy dëmtime të rëndësishme në skuadrën e tij pas disfatës kundër Galatasarayt në Ligën e Kampionëve.


Portieri Alisson Becker dhe sulmuesi Hugo Ekitike u detyruan të largoheshin nga loja për shkak të problemeve fizike, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për praninë e tyre në sfidën e fundjavës.

Slot sqaroi se dëmtimi i Alisson ndodhi gjatë një rikthimi të shpejtë në mbrojtje dhe shenjat nuk janë aspak premtuese.

“Kur u kthye me sprint, ndjeu diçka. Nuk mund të them saktësisht çfarë, sepse nuk jam fizioterapist, por zakonisht kur një lojtar ndalon në këtë mënyrë dhe nuk rikthehet në fushë, nuk është shenjë e mirë. Në 9 nga 10 raste, kur një lojtar është në tokë, unë frikësohem për më të keqen, dhe me ‘më të keqen’ nënkuptoj që nuk mund të vazhdojë lojën. Kjo ndodhi edhe me Alisson. Normalisht, nuk do të jetë në dispozicion për të shtunën. Është 99.9 përqind, edhe pse e kam thënë 100 përqind më parë, por po e lë 99.9. Gjithsesi, e mendoj si 100 përqind”, ka thënë Slot për portierin Becker.

Në lidhje me gjendjen e sulmuesit francez Hugo Ekitike, Slot tregoi se dëmtimi ndodhi në një aksion ku lojtari tentoi të arrinte një top në zonë.

“Ndjeu diçka kur u përpoq të arrinte një top. Besoj se të gjithë e mbajnë mend atë moment, kur po përpiqeshim të forconim lojën. Në atë çast, një lojtar tjetër ishte në tokë dhe gjyqtari ndali lojën, ndaj as që menduam se mund të kishim një dëmtim. Por Hugo ndjeu diçka. Pas ndeshjes, kjo është pjesa më e vështirë, lojtarët ndihen mirë kur ecin, por është ndryshe kur duhet të sprintojnë apo të godasin topin. Ai tha se nuk mund të vazhdonte, kështu që e zëvendësuam. Tani mbetet të shohim si do jetë për fundjavën”, përfundoi trajneri i Liverpoolit.

Këto zhvillime vijnë në një moment kritik për Liverpoolin, që tashmë po përballet me një kalendar të ngjeshur dhe kërkesën për rezultate pozitive në të gjitha frontet. /Telegrafi/