Rasti i vrasjes së policit Lirim Haxholli nga kolegu i tij, Fatlum Mehmeti, e mori epilogun të mërkurën. Mehmeti u shpall fajtor për vrasje me dashje eventuale dhe u dënua me 8 vjet burgim.
Në ditën e fjalës përfundimtare, motra e viktimës kishte deklaruar se nuk po kërkojnë hakmarrje por drejtësi për vëllain e saj.
Pikërisht nga familja Haxholli, në adresë të redaksisë së Klankosova.tv ka ardhur një fotografi ku shihet Mehmeti, tashmë ish polic, me një koleg të tij, duke u dëfryer me armët zyrtare.
‘Vrasësi’, siç e quajti ky familjar Mehmetin, pikërisht me veprime të tilla “e vrau familjarin tonë”, transmeton Klankosova.tv
Në fotografinë e siguruar nga Klankosova.tv, dy zyrtarët policorë shihen me armë në duar, të cilat ia kanë drejtuar në ballë njëri-tjetrit.
Kjo provë ishte edhe pjesë e procesit gjyqësor.
I dënuari, Mehmeti, në seancën e datës 18 dhjetor 2023 e kishte kundërshtuar këtë fotografi si dëshmi, duke thënë se nuk lidhet asgjë me rastin për të cilin akuzohej.
“Për mua kjo provë është e papranueshme ngase nuk ka asnjë analogji me rastin, nëse është bërë muaj më parë, para se me ndodhë kjo ngjarje tragjike. Unë përgjegjësisë nuk i iku, por nuk mundet me ju parashtru dëshmitarëve okularë. Kjo provë të shpallet e papranueshme”, kishte deklaruar ish polici në atë seancë.
Kujtojmë se sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohej se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin.
Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, i akuzuari ka manipuluar me armën zyrtare, derisa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur Lirim Haxholli dhe përreth kolegët e tij.
Tutje, bazuar në aktakuzë, i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet viktimën në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse. /Klankosova.tv
The post Pamje si luante me armën zyrtare, ish-polici i dënuar për vrasjen e kolegut Lirim Haxholli (FOTO) appeared first on Klan Kosova.