Sheila Eban, nëna e yllit të Barcelonës dhe përfaqësueses së Spanjës, Lamine Yamal, ka tërhequr vëmendjen e mediave britanike pas njoftimit për një event gala ku fansat do të kenë mundësinë të darkojnë me të.
Sipas “Daily Mail”, në platformën Eventbrite është publikuar ngjarja e organizuar nga “JEN C Events”, e cila do të zhvillohet më 7 nëntor në Londër. Në përshkrimin e eventit thuhet: “Përgatituni për t’u takuar me Sheila Eban, nënën e Lamine Yamal – njërit prej futbollistëve më të mirë në botë – në festën ekskluzive të Krishtlindjeve.”
Eventi është i hapur vetëm për persona mbi 18 vjeç. Biletat variojnë nga 150 deri në 360 euro, në varësi të paketës së zgjedhur. Paketa standarde përfshin një pije mirëseardhjeje dhe darkë me tre pjata, ndërsa versioni i avancuar shton një shishe vere. Paketa VIP, që kushton 360 euro dhe përfshin pije të pakufizuara si dhe fotografi me Sheila Eban, është shitur tashmë plotësisht.
Ky event shihet si një mënyrë e re e familjes Yamal për të qenë më pranë fansave, por edhe një dëshmi e fuqisë së popullaritetit të lojtarëve të rinj në rritjen e tregut të eventeve ekskluzive.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!