Paditë SLAPP në Kosovë: Harmonizimi me standardet e Këshillit të Evropës dhe BE-së

Paditë SLAPP në Kosovë: Harmonizimi me standardet e Këshillit të Evropës dhe BE-së

Lëvizja FOL, si anëtare e Koalicionit Evropian Kundër Padive SLAPP (CASE), ka mbajtur takimin e Grupit Nacional Kundër Padive SLAPP në Kosovë, ku u diskutua mbi përhapjen e këtij fenomeni si një sfidë serioze për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes në vend.

Drejtorja e FOL, Mexhide Demolli Nimani, theksoi se themelimi i këtij grupi synon rritjen e vetëdijes publike për paditë SLAPP, identifikimin dhe kundërshtimin e tyre, mbështetjen për gazetarët dhe aktivistët e paditur, si dhe avokimin për ndryshime ligjore që garantojnë lirinë e shprehjes dhe pjesëmarrjen publike.

Shefi i Njësisë për Sundimin e Ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Jarmo Helppikangas, nënvizoi se legjislacioni i ardhshëm është jetik për lirinë e shprehjes dhe demokracinë, duke bërë thirrje për konsultim gjithëpërfshirës para miratimit.

Gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Ermir Ahmetaj, theksoi se ky aktivizim është një hap i rëndësishëm, duke kujtuar se edhe Raporti i KE për vitin 2024 ka evidentuar mungesën e një analize të qartë mbi paditë SLAPP.

Ai shtoi se gjyqësori ka ndërmarrë hapa për trajtimin e rasteve të shpifjes dhe fyerjes, me mbështetje të BE-së dhe Këshillit të Evropës, dhe do të vazhdojë të jetë aktiv në zbatimin e dispozitave të reja ligjore.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha se numri i padive është në rritje, duke theksuar se qëllimi i tyre është të demoralizojnë gazetarët dhe të pengojnë punën e tyre hulumtuese. /Klankosova.tv

The post Paditë SLAPP në Kosovë: Harmonizimi me standardet e Këshillit të Evropës dhe BE-së appeared first on Klan Kosova.