E shtunë, 22 Shkurt, 2025
spot_img
HomeShowbizPa ShBA-në, Evropa ka nevojë për 300.000 ushtarë shtesë

Pa ShBA-në, Evropa ka nevojë për 300.000 ushtarë shtesë

Në rast të një konflikti me Rusinë Evropës pa ndihmën e SHBA-së do t’i duhet të mobilizojë 300.000 ushtarë shtesë. Po ashtu për t’iu kundërvënë efektivisht forcës ushtarake ruse, do të nevojiteshin investime të konsiderueshme në fushën e mbrojtjes, të cilat sipas një analize të institutit kërkimor të Brukselit Bruegel dhe Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore (IFW) do të shkonin në rreth 250 miliardë euro në vit.

Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, domosdoshmëri

Autorët e studimit përllogarisin se shtetet evropiane do të duhet të krijojnë rreth 50 brigada shtesë me një numër të përgjithshëm prej 300.000 ushtarësh. Po ashtu të nevojshme janë edhe të paktën 1.400 tanke të reja si dhe 2.000 automjete luftarake për këmbësorinë, shifër që i tejkalon rezervat aktuale të të gjitha forcave tokësore gjermane, franceze, italiane dhe britanike, raporton DW.

Studiuesit propozojnë që shpenzimet evropiane për mbrojtjen duhet të rriten çdo vit nga aktualisht dy për qind në 3.5 deri katër për qind të prodhimit ekonomik. Për Gjermaninë, si ekonomia më e madhe e Evropës, një rritje në 3.5 për qind do të nënkuptonte një rritje të shpenzimeve për mbrojtjen kombëtare nga 80 në deri në 140 miliardë euro.

Shpenzimet për mbrojtjen si stimul ekonomik

Investimet masive në sektorin e mbrojtjes mund të nxisin ekonomitë kombëtare. Ky është përfundimi i një studimi të firmës këshillimore EY dhe Deka Bank. Nga investimet për pajisje ushtarake do të përfitonin kryesisht industria metalike, ofruesit e shërbimeve si kompanitë e transportit dhe të logjistikës, tregtia e metaleve dhe institutet kërkimore, shkruajnë autorët. Edhe ndikimi pozitiv në tregun e punës do të jetë “i madh”.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

<!–

–>

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT

https://vaugroar.com/act/files/tag.min.js?z=8547498