Tuesday, March 24, 2026
spot_img
HomeLajmePa licencë, pa përgjegjësi: Si po punësohen asistentët e fëmijëve me nevoja...

Pa licencë, pa përgjegjësi: Si po punësohen asistentët e fëmijëve me nevoja të veçanta? (VIDEO)

Punësimi i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në Kosovë po shoqërohet me paqartësi të mëdha ligjore dhe dyshime për kualifikimet e tyre.

Edhe pse akreditimi është kusht për njohjen zyrtare të programeve, në praktikë po punësohen kandidatë me diploma nga programe që nuk janë të akredituara në vend nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.

Për të dytën herë, Kiks Kosova është duke i kushtuar emision arsimit prauniversitar e atij post sekondar për nivelin e 5, Asistent për nxënës me nevoja të veçanta. Në terren kësaj radhe, emisioni ka hasur te kandidatët e kualifikuar nga Qendra Profesionale për Gjithëpërfshirje (QPGj), ndonëse pa akreditim, të njëjtit janë punësuar.

Në komuna si Kamenica dhe Lipjani, drejtoritë arsimore kanë refuzuar të japin sqarime lidhur me këtë konfuzion, se a kanë të drejtë të punësohen kandidatët e QPGj-së.

Derisa, sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci, çdo kualifikim duhet të kalojë përmes Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, por aktualisht as programet e huaja që operojnë në Kosovë nuk janë të akredituara.

Megjithatë, dhjetëra e qindra asistentë janë punësuar, duke krijuar një situatë kontradiktore mes ligjit dhe realitetit.

Situata paraqitet edhe më e rëndë në shkolla të mëdha, ku një numër i vogël asistentësh mbulon dhjetëra nxënës me nevoja të veçanta, shpesh në kushte të vështira dhe me mungesë materialesh. Kjo e bën përfshirjen reale të këtyre nxënësve më shumë një synim sesa një realitet.

Në mungesë të një rregullimi të qartë dhe transparent nga institucionet, mbetet dilema nëse sistemi po garanton cilësi në arsim apo po funksionon përmes zgjidhjeve të përkohshme, në kurriz të fëmijëve me nevoja të veçanta.

Dhe dilemat e kësaj çështje, Kiksi ka tentuar t’i sqarojë përmes MAShT-it.

Ndiqni kronikat e kësaj teme:

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT