OVL-UÇK pas pezullimit të dialogut strategjik nga SHBA-të: Kosova s’guxon të humbasë aleancën jetike me Amerikën

news image

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën.

Përmes një reagimi, OVL-UÇK ka bërë fajtor presidenten dhe kryeministrin në detyrë për këtë zhvillim, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së aleancës strategjike me SHBA-në.

“Ne shprehim mirënjohje të thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për Kosovën dhe theksojmë se kjo marrëdhënie është jetike dhe e pazëvendësueshme për paqen, sigurinë dhe zhvillimin e vendit tonë. Për fat të keq, Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani kanë treguar papërgjegjësi të jashtëzakonshme dhe dëmprurëse. Me arrogancën e tyre politike, me retorikën e papërgjegjshme dhe me veprimet që shkelin mbi interesin strategjik të Kosovës, ata kanë rrënuar raportet me partnerin tonë kryesor. Sot Kosova po paguan çmimin e egoizmit të tyre, të cilët në vend që të jenë shërbyes të popullit, janë shndërruar në pengues të së ardhmes së shtetit.”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK gjithashtu bën thirrje për unitet dhe përgjegjësi shtetërore.

“Në këtë moment kritik, OVL UÇK apelon për unitet kombëtar dhe përgjegjësi shtetërore. Kosova nuk guxon të humbasë arritjet e saj historike dhe as të dëmtojë aleancën e saj jetike me SHBA-të. Luftëtarët e UÇK-së dikur ishin në front për lirinë e Kosovës, sot jemi ushtarë të përkushtuar të aleancës me Amerikën. OVL UÇK do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”, thuhet tutje në reagim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/