Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar me indinjatë dhe habi ndaj deklaratës së ish-komandantit Fatmir Limaj, i cili në një intervistë të fundit, sipas tyre, “tentoi të vërë në pikëpyetje misionin dhe angazhimin e OVL UÇK-së”.
“Ne i kujtojmë z. Limaj se misioni i OVL UÇK-së është i qartë, i ndershëm dhe i pandryshuar: ruajtja e vlerave të luftës çlirimtare, mbrojtja e dinjitetit të luftëtarëve dhe kujdesi ndaj kategorive të dala nga lufta”, thuhet në reagim.
Organizata shton se ka mbetur e vetme në mbrojtje të dinjitetit të luftëtarëve, pa asnjë mbështetje institucionale.
“E vërteta është se, në vend që të qëndronit pranë luftëtarëve të lirisë, ju zgjodhët t’i ofroni bashkëpunim njeriut më anti-UÇK në Kosovë, atij që për pesë vite nuk ndau asnjë euro për një lule në varret e dëshmorëve; atij njeriu që, bashkë me Listën Serbe, votoi kundër rritjes së pensioneve të veteranëve, dhe që e ka kthyer luftën tonë të shenjtë në objekt propagande politike.”, thekson OVL UÇK.
“Prandaj, OVL UÇK nuk do të lejojë askënd, pavarësisht pozitës apo së kaluarës, të na japë leksione për mision, ndershmëri e përkushtim ndaj luftës.Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi në shërbim të luftëtarëve dhe të vërtetës për UÇK-në.Këtë mision nuk na e cakton asnjë individ, e aq më pak ata që, për pushtet, janë gati të harrojnë gjakun e shokëve të vet.”, thuhet mes të tjerash në reagim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!