Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka falënderuar të gjithë qytetarët që morën pjesë në protestën e sotme në Hagë, ku u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim.
Në një reagim në Facebook, OVL-UÇK u shpreh mirënjohëse për mërgatën, luftëtarët, qytetarët dhe mediat që iu bashkuan protestës, duke theksuar se mesazhi i përbashkët ishte i qartë: “Jo në emrin tim!”
Gjatë protestës, kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të mos lejojnë padrejtësi ndaj Kosovës.
“Bota demokratike nuk duhet t’i mbyllë sytë karshi padrejtësive kaq të mëdha. U bëjmë thirrje ndërkombëtarëve që të mos ndëshkohet Kosova për lirinë e saj. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Këtu jemi për të thënë se nuk do të lejojmë të nëpërkëmbët sakrifica e Kosovës”, deklaroi Gucati.
Specialja pret që në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë tha se mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të përgatitet për të paraqitur shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.
Në shkresën e publikuar më 2 shtator u tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të kërkojë që të paraqesë prova të tjera, sikurse edhe mbrojtja të paraqesë prova si kundërpërgjigje. Por, pa paragjykuar mundësinë e kërkesave të tilla, palët duhet të përgatiten që të paraqesin përmbledhjet përfundimtare deri më 22 dhjetor.
Paneli i gjyqtarëve tha se parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.
“Paneli i njofton palët dhe pjesëmarrësit se duhet të jenë të përgatitur të paraqesin përmbledhjet përfundimtare të gjykimit, si dhe deklaratën mbi ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat pjesëmarrëse në procedurë, para fillimit të pushimit gjyqësor, të hënën, më 22 dhjetor 2025”, u tha në shkresë.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti iKosovës, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata mohojnë akuzat.
Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të nisë paraqitjen e provave./Telegrafi/