Osteoporoza mund të jetë shenja e parë e çrregullimeve të gjëndrave paratiroide: Shenjat, diagnoza dhe trajtimi

Osteoporoza mund të jetë shenja e parë e çrregullimeve të gjëndrave paratiroide: Shenjat, diagnoza dhe trajtimi

Çrregullimet e gjëndrave paratiroide shpesh zbulohen vonë, por osteoporoza mund të jetë treguesi i parë

Gjëndrat paratiroide prodhojnë hormonin paratiroid (PTH), i cili ka disa funksione kyçe, ndër më të rëndësishmit është lirimi i kalciumit nga kockat. Në trupin e njeriut zakonisht ndodhen katër gjëndra paratiroide, të vendosura pas gjëndrës tiroide. Edhe pse shumë të vogla, vetëm 3 deri në 5 mm, roli i tyre në rregullimin e metabolizmit të kalciumit është thelbësor.


Si funksionojnë gjëndrat paratiroide?

Gjëndrat paratiroide prodhojnë hormonin paratiroid (PTH), i cili:

  • liron kalciumin nga kockat,
  • rrit reabsorbimin e tij në veshka,
  • ndikon në vitaminën D për të përmirësuar përthithjen e kalciumit në zorrë,
  • rrit nxjerrjen e fosfatit përmes veshkave.

Në këtë mënyrë, PTH ruan ekuilibrin e kalciumit dhe fosfatit në organizëm.

Pse është e vështirë të zbulohen çrregullimet e gjëndrave paratiroide?

Gjëndrat paratiroide nuk mund të preken me dorë, dhe çrregullimet në funksionimin e tyre shpesh nuk japin simptoma të qarta, përveç rasteve kur niveli i kalciumit në gjak është dukshëm i çrregulluar.

Për vendosjen e diagnozës, zakonisht nevojiten analiza laboratorike, ekografi dhe scintigrafi për vizualizimin e tyre, transmeton Telegrafi.

Simptomat e çrregullimeve

Kur niveli i kalciumit është i lartë (hiperkalcemia), mund të shfaqen: gurë në veshka, kapsllëk, nauze, dhimbje barku, depresion, lodhje, dobësi muskulore dhe ndryshime në EKG.

Kur niveli i kalciumit është i ulët (hipokalcemia), shenjat mund të përfshijnë: ngërçe dhe mpirje muskulore, lëvizje të pavullnetshme, ankth, depresion, konfuzion, thonj të brishtë, rënie flokësh, katarakt në raste të gjata, si dhe ndryshime në EKG.

Një nga shenjat e para të mosfunksionimit të gjëndrave paratiroide mund të jetë osteoporoza. Sipas Mayo Clinic, hiperparatiroidizmi i patrajtuar mund të çojë në humbje progresive të densitetit të kockave dhe rritje të rrezikut për fraktura. Edhe WebMD thekson se nivelet e larta të PTH rrisin nxjerrjen e kalciumit nga kockat, duke e bërë hiperparatiroidizmin një ndër shkaqet kryesore të osteoporozës.

Kur duhet dyshuar për çrregullim të gjëndrave paratiroide?

Në analizat rutinë laboratorike është e rëndësishme të kontrollohen nivelet e kalciumit, fosforit dhe vitaminës D. Nëse PTH është i lartë, gjendja quhet hiperparatiroidizëm, i cili mund të shkaktohet nga:

  • adenoma e gjëndrës paratiroide (tumor benign) – shkaku më i shpeshtë,
  • hiperplazia e gjëndrave,
  • karcinoma e gjëndrave paratiroide (shumë e rrallë),
  • sëmundjet kronike të veshkave,
  • nivele të ulëta të vitaminës D,
  • çrregullime të përthithjes së kalciumit (p.sh. te sëmundja celiake).

Hiperparatiroidizmi është një sëmundje e rrallë (1–4 raste në 1000 persona), por më shpesh paraqitet tek gratë në menopauzë.

Çfarë është hipoparatiroidizmi?

Në të kundërt, hipoparatiroidizmi ndodh kur gjëndrat prodhojnë më pak PTH, gjë që çon në ulje të nivelit të kalciumit. Shkaqet mund të jenë: heqja kirurgjikale e gjëndrave gjatë operacionit të tiroides, sëmundje autoimune ose gjenetike, çrregullime të përkohshme nga nivele të ulëta të magnezit ose përdorimi i barnave.

Si trajtohen çrregullimet e gjëndrave paratiroide?

Në rastin e adenomas së gjëndrës paratiroide, shkaku më i zakonshëm i hiperparatiroidizmit – trajtimi kryesor është ndërhyrja kirurgjikale. Studimet kanë treguar se pas heqjes së gjëndrës, densiteti i kockave përmirësohet ndjeshëm. Një studim i Mayo Clinic raportoi përmirësim të densitetit të kockave deri në 75% të pacientëve pas kirurgjisë. Një hulumtim më i ri (2025) konfirmon se ky përmirësim ndodh pavarësisht moshës, gjinisë apo tipit të hiperparatiroidizmit.

Tek hipoparatiroidizmi nevojitet ndjekje e rregullt mjekësore, si dhe marrja e kalciumit dhe vitaminës D.

Edhe pse të vogla dhe shpesh “të padukshme”, gjëndrat paratiroide kanë një rol jetik në ruajtjen e ekuilibrit të kalciumit në trup. Kontrollet laboratorike të rregullta janë mënyra më e mirë për të zbuluar me kohë çrregullimet dhe për të mundësuar trajtimin e suksesshëm. /Telegrafi/