Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, ka bërë të ditur se Lëvizja për Bashkëveprim i është bashkuar programit të tij qeverisës, duke thelluar bashkëpunimin politik në prag të zgjedhjeve lokale.
Në takimin e zhvilluar me kryetarin e LPB-së, Jeton Emini, dhe kandidatin për Kuvendin Komunal, Majlind Sadriu, Osmani tha se palët janë dakorduar për një agjendë të përbashkët zhvillimi, me fokus të veçantë në përmirësimin e kushteve të jetesës në lagjet e banuara nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një Fushë-Kosove gjithëpërfshirëse, ku çdo qytetar ka mundësi të barabarta për zhvillim. Me energjinë dhe përkrahjen e jashtëzakonshme të qytetarëve, fitorja më 12 tetor është e sigurt”, tha Osmani.
Ai shtoi se përmes këtij bashkëpunimi, synohet krijimi i një modeli të ri qeverisjeje lokale, që vendos në qendër bashkëpunimin, barazinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
“Bashkë për një Fushë-Kosovë gjithëpërfshirëse dhe zhvillim të barabartë për të gjithë”, përfundoi Osmani.