Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot përmes një konferencë për media njoftoi tërheqjen e kërkesës së dorëzuar më 22 korrik në Gjykatën Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit.
Ky vendim erdhi si pasojë e caktimit të Radomir Laban, si gjyqtar raportues për çështjen e ngritur pranë këtij institucioni nga vetë Presidentja në lidhje me ecurinë e konstituimit të Kuvendit.
Por, kush është Radomir Laban?
Ai ishte bërë interesant për publikun, nga e premta e 18 majit të vitit 2018 pasi u zgjodh gjykatës i ri në Kushtetuese, falë vizës që ia kishin dhënë deputetët asokohe.
Ata nuk kishin hulumtuar fare të kaluarën problematike të Labanit, i cili ishte dënuar me 6 vjet burg nga një gjykatë në Serbi, për krim të organizuar.
Por, ish punëtori i doganës në shtetin fqinj, nuk kishte kaluar as edhe një orë të vetme prapa grilave, kjo pasi gjeti strehim në Kosovë.
Për më tepër, në vitin 2011 ai edhe u punësua në Gjykatën Kushtetuese të shtetit të ri.
Ai ishte pjesë e grupit të njohur si “mafia doganore”, që u përball me drejtësinë nga viti 2006.
Pas dënimit, për ish-anëtarin e inteligjencës së Doganës së Serbisë u lëshua fletarrest në interpol.
Pasi u mor vesh se iku në Kosovë, u kërkua edhe asistenca e EULEX për ta arrestuar, në nëntor të vitit 2017.
Misioni evropian i ktheu përgjigje negative kryetares së gjykatës së Kralevës.
Laban kishte shpëtuar pa therrë në këmbë edhe kur doli para Komisionit të Kuvendit për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtuese.
Këtu u tha se prezantoi dokumentacion që thotë se ai nuk ka asnjë problem me ligjin.
Më poshtë mund të ndiqni një kronikë të përgatitur nga Klan Kosova, në maj të viti 2018:
The post Osmani tërhoqi kërkesën për seancën konstituive nga Kushtetuesja shkaku i tij – kush është Radomir Laban? appeared first on Klan Kosova.