Osmani takohet me Trump: Kosova, gjithmonë në anën e demokracisë

news image

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me homologun e saj amerikan, Donald Trump, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani e përshkroi takimin si më shumë sesa protokollar, duke theksuar përmbajtjen dhe vëmendjen që Trump i kushtoi çështjeve që prekin drejtpërdrejt Kosovën dhe rajonin.

“Një takim i planifikuar si protokollar me Presidentin Trump u shndërrua në një bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtësore. Faleminderit Presidentit Trump për interesimin e veçantë që tregoi rreth rolit të pazëvendësueshëm të Amerikës në Kosovë dhe në rajonin tonë, si dhe për angazhimin e tij të palodhshëm për paqe!”, shkruan Osmani.

Presidentja shtoi se marrëdhënia me SHBA-në mbetet jetike për të ardhmen e Kosovës:

“Miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm. Kosova do të jetë gjithmonë në anën e demokracisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-të, sepse pikërisht aty rreh zemra e lirisë sonë”, ka theksuar ajo.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/