Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit, duke e cilësuar këtë si një veprim arbitrar dhe të papranueshëm, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka krahasuar këto veprime me praktikat shoviniste të viteve ’90, duke theksuar se Serbia nuk i respekton as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane.
“Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës”, ka shkruar presidentja.
Ajo theksoi se arrestimi i Arbnor Spahiut është bërë mbi akuza tërësisht të rreme dhe nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të një regjimi që, sipas saj, refuzon të përballet me të kaluarën dhe e keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët e Kosovës.
Osmani ka kërkuar që Serbia të ndalojë menjëherë “fushatën e arrestimeve politike” dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për këto veprime që, siç tha ajo, jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por rrezikojnë edhe përpjekjet për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve.
Ajo ka bërë të ditur se janë në kontakt të vazhdueshëm me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe kanë kërkuar reagimin e shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së, në mënyrë që – siç u shpreh – këto shkelje të të drejtave të njeriut nga Serbia të mos injorohen.
Në fund, presidentja u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin kalimin nëpër Serbi, duke qenë të vetëdijshëm për rrezikun nga arrestimet e padrejta dhe qëllimet destabilizuese të këtij shteti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!