Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Shqipëri, ku do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të rajonit në Durrës, në kuadër të Iniciativës Brdo-Brijuni.
Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, Samiti është organizuar nga presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc Musar dhe presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviç, ndërsa nikoqir i këtij takimi është presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Takimi zhvillohet me temën: “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”.
Sipas komunikatës së Presidencës, ky samit do të fokusohet në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht në kontekstin e Planit të Rritjes për Rajonin, të propozuar nga Bashkimi Evropian.
“Iniciativa Brdo-Brijuni, synon të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe t’i lehtësojë përpjekjet e vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatën zyrtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!