Presidentja Vjosa Osmani priti sot, më 16.09.2025, në takim lamtumirës ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani e falënderoi ambasadorin për angazhimin e tij gjatë mandatit në Kosovë.
Sipas njoftimit, presidentja ka thënë se Gjermania mbetet partner strategjik i rëndësishëm i Republikës së Kosovës dhe se partneriteti ndërmjet dy shteteve është në rritje të vazhdueshme.
“Me këtë rast, u veçua rëndësia e thellimit të marrëdhënieve ekonomike, të cilat janë forcuar edhe falë kontributit të çmuar të mërgatës kosovare në Gjermani, që përmes investimeve dhe angazhimit të tyre përbëjnë një urë të fuqishme lidhëse mes dy vendeve dhe popujve tanë”- theksohet në njoftim.
Mbështetja në rrugën drejt integrimit euroatlantik e mbështetja e vazhdueshme e Gjermanisë në sektorë të ndryshëm përmes projekteve të shumta zhvillimore, ishin të arriturat e tjera për të cilat presindetja i shprehu mirënjohje ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë.
“Presidentja Osmani i uroi ambasadorit Rohde suksese të mëtejshme në angazhimet e tij të ardhshme”- njofton Presidenca.