Osmani presidente edhe për një mandat, partitë të ndara në qëndrim

news image

Gjashtë muaj para se të përfundojë mandati i presidentes Vjosa Osmani, partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë qëndrime të ndryshme sa i përket mbështetjes për një mandat të dytë të saj.

Edhe pse legjislatura e re e Kuvendit ende nuk është konstituar, diskutimet për zgjedhjen e presidentit kanë nisur të jenë pjesë e debatit politik në vend.

Presidentja Osmani, e cila ka deklaruar se do të shqyrtojë seriozisht rikandidimin në fillim të vitit 2026, ka marrë sinjale pozitive nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Alternativa. Megjithatë, në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) janë më të rezervuar, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë kundër mbështetjes së saj për një mandat të dytë.

Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, tha se partia është miqësore me Osmanin, por nuk ka ende një qëndrim zyrtar për mbështetjen e saj. Ndërkohë, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, vlerësoi bashkëpunimin aktual me presidenten dhe përmendi vlera të përbashkëta.

Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, kërkoi një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit, pa komentuar drejtpërdrejt për Osmanin. PDK dhe AAK kanë qenë më të ashpra në kritika. Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se presidentja nuk i ka përmbushur pritjet në raport me aleatët dhe mbrojtjen e institucioneve të pavarura. Ndërsa, deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, e quajti Osmanin “vegël të Albin Kurtit” dhe tha se nuk do të mbështesin rikandidimin e saj në asnjë rrethanë.

Sipas Kushtetutës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026. Në dy raundet e para kërkohet shumicë prej 80 votash, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës nuk është ende funksional, pasi legjislatura e re nuk është konstituar për shkak të mungesës së një nënkryetari nga komuniteti serb. Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar konstituimin brenda 12 ditëve nga publikimi i aktgjykimit, pas ankesës së Listës Serbe.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/