Presidenti amerikan Donlad Trump mbrëmë ka njoftuar se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të paqes në Gaza.
Lidhur me këtë ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo përmes një postimi në rrjetin social X e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm dhe të vonuar drejt paqes së qëndrueshme në rajon.
“Një moment përcaktues për paqen. Paqe që është urgjente. Paqe që është vonuar prej kohësh”, ka shkruar Osmani.
Osmani vlerësoi veçanërisht rolin e presidentit amerikan Donald Trump dhe administratës së tij për përkushtimin në arritjen e kësaj marrëveshjeje historike. “Presidenti Donald Trump dhe administrata e tij kanë treguar udhëheqje të vërtetë dhe përkushtim për të sjellë paqe të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët, si dhe përkushtim të palodhur për t’i dhënë fund vuajtjeve që breza të tërë njerëzish të pafajshëm kanë përjetuar”, u shpreh presidentja.
Ajo gjithashtu falënderoi ndërmjetësuesit nga Katari, Egjipti dhe Turqia për rolin e tyre kyç në këtë proces.
“Mirënjohja jonë shkon gjithashtu për ndërmjetësuesit nga Katari, Egjipti dhe Turqia për angazhimin e tyre të vazhdueshëm për paqen dhe për rolin e tyre kyç në arritjen e këtij përparimi historik”, ka shkruar Osmani. /Telegrafi/