Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Japoni është takuar me kryeparlamentarin e këtij shteti, Fukushiro Nukaga.
Takimi mes dy zyrtarëve të lartë u fokusua në fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, ku u riafirmua vullneti për bashkëpunim të ndërsjellë në fusha të ndryshme.
“Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Japonisë, z. Fukushiro Nukaga, riafirmuam përkushtimin tonë të palëkundur për thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, në dobi të qytetarëve tanë dhe në shërbim të vlerave të përbashkëta”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka vlerësuar mbështetjen që Japonia i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke e cilësuar si thelbësore për procesin e shtetndërtimit.
“Synojmë që këtë partneritet ta ngremë në nivele edhe më të larta”, ka shtuar më tej Presidentja Osmani.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!