Osmani kujton Fehmi e Xhevë Lladrovcin: Dy zemra, një betim për liri

Osmani kujton Fehmi e Xhevë Lladrovcin: Dy zemra, një betim për liri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, duke i quajtur ata dy prej figurave më të ndritura të historisë së re të vendit.


“Fehmi e Xhevë Lladrovci nuk ishin vetëm bashkëshortë, por bashkëluftëtarë; nuk ishin vetëm dy jetë, por një ideal i përbashkët për lirinë e Kosovës. Ata u ngritën mbi frikën dhe mbetën shembull i përjetshëm i guximit”, ka shkruar Osmani në një postim në rrjetet sociale.

Ajo ka theksuar se rënia e tyre nuk përbën fund, por u bë themel i një rruge që çoi drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Presidentja rikujtoi gjithashtu se me rastin e përvjetorit të pavarësisë, kishte pasur nderin t’i dorëzonte familjes Lladrovci Urdhrin “Hero i Kosovës” për Fehmi Lladrovcin dhe Urdhrin “Heroinë e Kosovës” për Xhevë Lladrovcin.

“Lavdi e përjetshme Fehmi e Xhevë Lladrovcit!”, përfundoi Osmani mesazhin e saj.