Osmani kërkon nga Austria dhe Sllovenia mbështetje për heqjen e masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Osmani kërkon nga Austria dhe Sllovenia mbështetje për heqjen e masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren Federale të Austrisë për Evropë, Integrim dhe Familje, znj. Claudia Plakolm, si dhe Sekretaren e Shtetit të Sllovenisë për Çështje Evropiane, znj. Neva Grašič.

Sipas komunikatës për media, në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me Austrinë dhe Slloveninë, poashtu  Osmani i falënderoi për mbështetjen ndaj Kosovës, si dhe për angazhimin në promovimin e stabilitetit rajonal, raporton Klankosova.tv.

“Më tej, Presidentja Osmani theksoi progresin e Kosovës në zbatimin e reformave evropiane dhe kërkoi përkrahjen e Austrisë dhe Sllovenisë për heqjen e masave kufizuese të BE-së, duke i cilësuar ato të pajustifikuara në raport me arritjet e vendit. Po ashtu, Presidentja Osmani tha se shpreson se këto dy vende mike do të jenë ndër zërat më të fuqishëm për të shtyrë përpara aplikimin e Kosovës për shtet kandidat të BE-së, ashtu siç e kanë vepruar me disa shtete të rajonit më parë.

Në fund, Presidentja Osmani nënvizoi se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të demokracisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut, ndërsa miqësia dhe partneriteti me Austrinë dhe Slloveninë janë shtylla të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit”, shkruhet në komunikatë./Klankosova.tv

The post Osmani kërkon nga Austria dhe Sllovenia mbështetje për heqjen e masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës appeared first on Klan Kosova.