Besnik Osmani, kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, ka thënë se për zhvillimin e kësaj komune, ka dy pikëpamje të ndryshme.
Gjatë një interviste në Rubikon të Klan Kosovës ku prezantoi planet e tij për mandatin e ardhshëm katër-vjeçar, në rast se e fiton besimin e qytetarëve, ai tha se ka të tillë që e duan zhvillimin ekonomik, por ka edhe të tillë që mendojnë se s’ka nevojë që të ketë zhvillim të tillë.
“Nëse provojmë ta shpjegojmë më thjesht për qytetarët, ka dy pikëpamje të ndryshme. Njëra është ajo liberale për zhvillimin ekomomik, demografik, njerëz që mendojnë dhe kanë menduar, duke e votuar zotin Berisha për 5 mandate rresht, që Fushë-Kosova duhet të rritet e zhvillohet, dhe është një mendim tjetër kritik, që kjo rritje nuk është patjetër e domosdoshme dhe që më shumë duhet të kujdesemi të kemi një vend më të vogël, por jetë më kualitative”, tha Osmani.
Sipas tij, ky tranzicion i madh natyrisht se ka edhe aspekte negative.
“Ajo që ka ndodhur në Fushë-Kosovës është një fakt që s’mund të demantohet me asnjë argument. Të themi, simbolikisht, nga një kolibë e vogël në një shtëpi të madhe. Dhe kur në një truall me një kolibe të vogël bën një shtëpi të madhe, natyrisht se mund të ketë edhe dëme anësore. Ajo që është e rëndësishme që ka ndodhur gjatë këtyre dekadave, është që ne kemi një themel të fortë, një kulm të fortë, një shtëpi të madhe, dhe brenda saj ka shumë gjëra që mua më mbesin t’i rregulloj në mandatin që vjen në mënyrë që qyteti të jetë më miqësor dhe më funksional, dhe që fshatrat të jenë edhe më të qëndrueshme ekonomikisht se që janë sot”, deklaroi kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës. /Klankosova.tv
The post Osmani: Fushë-Kosova nga një “kolibe” e vogël është bërë një shtëpi e madhe (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.