Presidentja Vjosa Osmani po merr pjesë në organizimin “Java e Gruas”, pjesëmarrje të cilën e para e vendit e cilësoi si shumë të rëndësishme, për shkak se ndodhet në prag të përfundimit të mandatit të saj si shefe e shtetit.
Në fjalën e saj, Osmani tha se kishte privilegjin të takonte gra që nuk përkufizohen nga kufij, por nga horizontet që vetë i ka hapur, transmeton Klankosova.tv.
“Bindjet asnjëherë nuk janë imponuar, por janë pjekur këtu. Andaj kam mirënjohje të thellë, faleminderit që e bëtë këtë platformë të qëndrueshme dhe të vlefshme. Kisha privilegjin të takoj gra që s’përkufizohen nga kufij, por nga horizontet që vetë i kanë hapur”, u shpreh Osmani.
Pos tjerash, ajo kërkoi përgjegjësi ndaj atyre që shfrytëzojnë teknologjinë për propagandë.
“Një shoqëri që mësohet me narrativë të tillë, e humb busullën morale. Nuk është luftë ndaj një personi, është mesazh për secilën grua e vajzë që do të hyjë në jetën publike dhe politike”, u shpreh e para e vendit.
“Kjo s’është çështje personale, është e demokracisë. Ajo nuk rrëzohet nga krizat e mëdha, dobësohet kur e vërteta goditet dhe bëhet e parëndësishme, kur shpifja bëhet mjeti kryesor”, tha ajo.


