Osmani: Arsimi, prioritet kryesor për Fushë Kosovën – planifikohen shkolla dhe çerdhe të reja

Osmani: Arsimi, prioritet kryesor për Fushë Kosovën – planifikohen shkolla dhe çerdhe të reja

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Komunën e Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka theksuar se arsimi do të jetë prioriteti kryesor i programit të tij qeverisës.

Ai ka deklaruar se përmirësimi i cilësisë së arsimit kërkon bashkëpunim të ngushtë me mësimdhënësit, prindërit dhe gjithë qytetarët, duke premtuar përkushtim maksimal për të garantuar kushte më të mira në shkolla.


“Arsimi është prioriteti ynë. Së bashku me mësimdhënësit, prindërit dhe qytetarët, do të punojmë për një arsim më cilësor në shkollat tona,” ka theksuar Osmani.

Në planin e tij, ai ka përfshirë edhe digjitalizimin e procesit arsimor, të cilin e cilësoi si “të pashmangshëm” dhe ndër prioritetet kryesore të mandatit të ardhshëm.

Në kuadër të këtij plani, Osmani ka bërë të ditur se do të ndërtohen tre shkolla të reja dhe tre çerdhe në qytet, si dhe tre çerdhe të tjera në fshatra, për të përmbushur nevojat në rritje të banorëve.

Ai po ashtu ka theksuar se do t’i kushtohet vëmendje e veçantë fëmijëve me nevoja të veçanta, duke premtuar kushte më të mira për përfshirje, zhvillim dhe mundësi të barabarta për secilin fëmijë.

“Fushë Kosova përtej!” – ka përfunduar Osmani, duke theksuar vizionin e tij për një komunë më të zhvilluar dhe më gjithëpërfshirëse.