Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se tentoi “të prishte takimin” e Bërdo-Brionit që u mbajt në Durrës, por shtoi se në fund udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor me unanimitet miratuan një deklaratë të përbashkët të samitit.
Pas samitit, Osmani tha për transmetuesin publik shqiptar se Vuçiq, iu drejtua samitit me “ofendime dhe arrogancë”.
“…natyrisht që për çdo propagandë që Vuçiqi synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumente në anën e së drejtës dhe argumente të cilat janë fuqizuar e mbështetur edhe nga e drejta ndërkombëtare, nëpërmjet mendimeve të GJND-së”, tha Osmani, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që vendosi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 nuk ishte shkelur ligjin ndërkombëtar.
Serbia refuzon ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron shtetin pjesë të saj.
Gjatë samitit, sipas Osmanit, Vuçiq u ankua edhe për marrëveshjen në fushën e mbrojtjes që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë arritur në mars të këtij viti.
“Ai [Vuçiq] mori rikonfirmimin tonë të përbashkët që kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë dhe përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës sonë si komb ne asnjëherë nuk e kemi sulmuar askënd, s’e kemi pushtuar askënd, por gjithmonë e kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë integritetin tonë territorial. Aleanca tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Për Kosovën, rreziku na vjen nga Serbia kështu që ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë ushtrinë tonë”, tha Osmani.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha për mediat se gjatë takimit në Durrës kishte pasur përplasje me Osmanin kur u diskutua për integritetin territorial, që sipas tij, çdokush e interpreton siç do.
“Imagjinoni kur Vjosa Osmani vjen dhe flet për integritetin territorial dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Të rrotullohet stomaku dhe të gjithë e dëgjojnë dhe tundin kokën… Prandaj, unë ja kujtova ditët e saj të turizmit në Kombet e Bashkuara, i urova që të ketë më shumë turizëm në jetën e saj dhe kjo ishte”, tha Vuçiq.