E premte, 1 Gusht, 2025
spot_img
HomeLajmeOsmani: Aktgjykimi i Komerciales për tregun e hapur energjetik vlen për të...

Osmani: Aktgjykimi i Komerciales për tregun e hapur energjetik vlen për të gjitha bizneset (VIDEO)

Gjykata Komerciale, të mërkurën publikoi aktgjykimin mbi ankesën që bizneset e kanë parashtruar për çështjen e kalimit të tyre në treg të lirë të energjisë elektrike.

Juristja dhe avokatja Blinera Osmani, në Rubikon të Klan Kosovës, tha se aktgjykimi i Komerciales ka efekt juridik për të gjitha kompanitë e prekura nga vendimi dhe njoftimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) i datës 12 mars, 2025.

Sipas saj, ky aktgjykim e ka shpallur vendimin dhe njoftimin e ZRrE-së të kundërligjshëm.

“Ne kemi pranuar një aktgjykim nga Gjykata Komerciale, shkalla e parë, në bazë të të cilit, në pikën e parë, 2 dhe 3 të dispozitivit të aktgjykimit ka vendosur që në mënyrë meritore, vendimi dhe njoftimi për treg të lirë i lëshuar nga ZRrE është i kundërligjshëm. Gjithashtu, përmes dispozitivit të njëjtë, saktësisht pikës 4, ka vendosur që në tërësi të bëhet pezullimi i vendimit dhe njoftimit, përderisa në mënyrë meritore të vendoset në shkallshmëri të tjera të gjykatave. Rrjedhimisht i bie që përderisa ne e kemi një aktgjykim që ka trajtuar në mënyrë meritore ligjshmërinë e procesit të liberalizimit të energjisë elektrike, masa pezulluese do të vjen në fuqi në momentin që është marrë aktgjykimi dhe do të ketë efekt juridik për të gjitha bizneset”, ka thënë Osmani.

Më tutje, juristja thotë se “Gjykata Komerciale ka vendosur që në tërësi të pezullojë dhe të caktojë masë pezulluese për njoftimin dhe vendimin për treg të lirë të ZReE-së që i bie që ka efekt juridik apo pasojë juridike për të gjitha ato biznese që janë prekur nga vendimi i datës 12 mars, 2025, përmes së cilit ZRrE ka vendosur që të gjitha bizneset të cilat plotësojnë kriteret që ishin mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim, të dalin në treg të lirë dhe të furnizohen nga operatorë në treg të lirë”.

Prandaj, thotë ajo, “nga momenti që e kemi pranuar aktgjykimin dhe është bërë publik, masa pezulluese është në fuqi”.

“Dhe të mos harrojmë, një masë pezulluese e kishim edhe para këtij aktgjykimi, sepse ne kemi dorëzuar në vazhdimësi kërkesa për caktimin e masës pezulluese ndaj vendimin dhe njoftimit të KEDS”, tha Osmani

Tutje, ajo tha se ZRrE e ka trajtuar aktgjykimin e shkallës së parë si jo të plotfuqishëm, dhe rrjedhimisht, sipas saj, zyrtarët e rregullatorit të energjisë kanë vlerësuar se a duhet të pritet fillimisht që të vërtetohet ky aktgjykim në shkallshmëri të tjera, dhe pastaj mund të dalin dhe të vendosin a të pezullohet a jo.

Sipas saj, kjo është e gabuar sepse, siç u shpreh, “ne kemi në mënyrë meritore ligjshmërinë që është trajtuar nga gjykata dhe ka vendosur që njoftimi dhe vendimi është i kundërligjshëm dhe ka vendosur përmes masës pezulluese që të sigurojë palët në procedurë nga dëmi i pariparueshëm derisa aktgjykimi në formë meritore të marrë plotfuqishmërinë apo të jetë i formës së prerë nga shkallët tjera”.

Avokatja Osmani tha se ky aktgjykim është shumë i qartë i cili thotë se duhet të vendoset një masë pezulluese derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë. /Klankosova.tv

The post Osmani: Aktgjykimi i Komerciales për tregun e hapur energjetik vlen për të gjitha bizneset (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT