Ajo që nisi si një ofertë konkurruese për furnizim me barna në komunën e Pejës, përfundoi me akuza për dokumente të rreme, ndëshkim institucional dhe pasiguri për të ardhmen e një operatori ekonomik që operon në treg që nga viti 2021.
Por çfarë ndodhi vërtet, si u bë që MedPlus nga ofertues i rëndësishëm në treg, të futet në listën e zezë?
Në qershor 2025, MedPlus aplikoi në një tender të shpallur nga Komuna e Pejës për furnizim me barna dhe materiale mjekësore për barnatoret e QKMF-së, raporton Kiks Kosova.
Kompania dorëzoi një katalog digjital me QR kode, i prodhuesit kinez ACMED, që përmbante listën e produkteve që do të ofroheshin.
Gjatë verifikimit, zyrtarët komunalë konstatuan se disa produkte mungonin kur skanohej përmes QR kodit, ndonëse ai figuronte në katalogun e printuar.
Kjo mospërputhje u interpretua si falsifikim dokumentacioni dhe pas raportimit në Organin Shqyrtues të Prokurimit, MedPlus u përjashtua nga të gjitha tenderët publikë për një periudhë prej një viti nga gushti 2025 deri në gusht 2026.
Jeton Prenaj, pronar i MedPlus, e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe tha se kompania nuk kishte manipuluar asnjë dokument.
Sipas tij, katalogu i përdorur ishte dërguar direkt nga prodhuesi kinez ACMED.
Këtë pretendim e vërtetoi edhe vetë kompania kineze, në një email që e siguroi Kiks Kosova, ku thuhej se katalogu është autentik dhe i përpiluar nga ta, por që disa QR kode nuk janë përditësuar për shkak të ngarkesës së punës.
Pas ankesës së kompanisë dhe dorëzimit të dëshmive shtesë, OSHP vendosi të zbusë dënimin, duke e reduktuar përjashtimin nga 12 muaj në 7 muaj, deri më 17 mars 2026.
Megjithatë, Paneli Shqyrtues theksoi se pavarësisht se ndryshimi në katalog është bërë nga prodhuesi, operatori ekonomik mban përgjegjësi të plotë për dokumentacionin që dorëzon.
Sipas MedPlus, një nga arsyet kryesore pse vendimi mbeti në fuqi ishte përkthimi i gabuar i OSHP-së , i emailit të prodhuesit kinez nga anglishtja në shqip, çka sipas avokatit të kompanisë, Zeqir Fetoshi, ka devijuar të gjithë trajtimin e çështjes.
Fetoshi e cilëson këtë ndëshkim si një “dënim kapital”, që rrezikon ekzistencën e kompanisë dhe i shkakton humbje që mund të shkojnë në qindra mijëra euro. /Klankosova.tv
The post OShP-ja e fut në listë të zezë kompaninë kosovare, çfarë ndodhi? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.