Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për akreditimin e 28 mediave vendore dhe ndërkombëtare për vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Për këtë vendim ka reaguar Misioni i OSBE-së në Kosovë, i cili ka “përshëndetur ngrohtësisht” vendimin e KQZ-së për të akredituar mediat në gjuhën serbe dhe mediat e tjera, duke vlerësuar se kjo masë forcon parimet gjithëpërfshirëse.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë përshëndet ngrohtësisht vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të akredituar mediat në gjuhën serbe dhe mediat e tjera për mbulimin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 12 tetor. Ky hap gjithëpërfshirës forcon parimet e transparencës, barazisë dhe lirisë së medias – elemente thelbësore për zgjedhje të lira dhe të drejta”, thuhet në reagim.
OSBE shton se qasja në informacion në të gjitha gjuhët e komuniteteve është një komponent kyç i kuadrit shumetnik dhe demokratik të Kosovës.
“Qasja në informacion në të gjitha gjuhët e komuniteteve është një komponent kyç i kuadrit shumetnik dhe demokratik të Kosovës. Sigurimi i mundësive të barabarta për të gjitha mediat forcon besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe mbështet pjesëmarrjen e informuar në nivel komuniteti”, theksohet më tej.
Në fund, OSBE nënvizon se misioni i saj mbetet i përkushtuar për promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes.
“Misioni mbetet i përkushtuar për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes, pluralizmin mediatik dhe qasjen e barabartë në informacion për të gjitha komunitetet, në përputhje me parimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare”, përfundon reagimi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!