Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim të madh për ndikimin në njerëz mbyllja e fundit e zyrave të shërbimeve në Mitrovicën e Veriut, nga të cilat, ky mision thotë se varen komunitetet jo-shumicë.
Në postimin e publikuar në Facebook, OSBE thekson se ndërprerjet e këtyre shërbimeve prekin në mënyrë të veçantë të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet me mundësi të kufizuara, të cilat OSBE thotë se varen nga këto zyra për shëndetësi, pagesa pensionale, materiale shkollore dhe mbështetje sociale.
“Çdo masë që ndikon në shërbimet publike duhet të sigurojë qasje të pandërprerë për të gjitha komunitetet, ndërsa mosmarrëveshjet adresohen përmes Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me konsultim domethënës lokal”, thuhet në reagim.
OSBE shton se do të vazhdojë ta monitorojë nga afër situatën në kuadër të mandatit të saj për paralajmërim të hershëm dhe mbështetje të komuniteteve gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme.
Inspektorati i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka pezulluar punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga kjo komunë në veri të Kosovës.
Komuna tha se më 12 shtator, me asistencën e Policisë së Kosovës, kreu kontrolle në hapësirat ku vepronin këto institucione të Serbisë.
“Gjatë kontrollit është konstatuar se personat e hasur në objekt nuk kanë pasur dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë së përmendur. Për këtë arsye, puna është pezulluar përkohësisht, ndërsa procedura e mëtejshme do të zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me ligjet dhe kompetencat në fuqi”, thanë nga Komuna e Mitrovicës së Veriut. /Klankosova.tv
The post OSBE e shqetësuar pas mbylljes së shërbimeve të sistemit të Serbisë në veri appeared first on Klan Kosova.