Misioni i OSBE-së në Kosovë shpreh zhgënjimin e tij “të thellë në lidhje me vendimin e marrë sot nga disa anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të abstenuar ose për të votuar kundër kërkesave për akreditim të paraqitura nga të gjitha mediat në gjuhën serbe, dhe të tjera, për mbulimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale të planifikuara për të dielën, më 12 tetor”, thuhet në reagim.
OSBE thekson se “Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe transparente varen nga qasja e hapur dhe e barabartë për të gjitha mediat për të vëzhguar, raportuar dhe informuar publikun rreth zhvillimeve zgjedhore. Kufizimi i akreditimit të mediave në bazë të përkatësisë së perceptuar të komunitetit, gjuhës ose editoriale kufizon aftësinë e gazetarëve për të kryer detyrat e tyre profesionale”.
“Qasja në informacion në gjuhët e komuniteteve përfaqëson një aspekt themelor të kornizës multietnike dhe demokratike të Kosovës. Sigurimi i mundësive të barabarta për të gjitha mediat është thelbësor për të ruajtur besimin e publikut në procesin zgjedhor, duke shmangur sugjerimet për praktika diskriminuese dhe duke mbështetur pjesëmarrjen e informuar nga të gjitha komunitetet”, vijon reagimi.
“Misioni mbetet i përkushtuar për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes, pluralizmin e medias dhe qasjen e barabartë në informacion për të gjitha komunitetet, në përputhje me parimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare. Ai u bën thirrje partive politike t’i përmbahen këtyre vlerave”, përfundon reagimi.
Gjithashtu, Ambasada Gjermane në Kosovë mbështet plotësisht deklaratën e lëshuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
“Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe transparente varen nga aksesi i barabartë për të gjitha mediat për të vëzhguar dhe raportuar mbi procesin. Kufizimi i akreditimit bazuar në gjuhë ose përkatësi rrezikon të minojë besimin e publikut në institucionet demokratike dhe përfshirjen e kornizës zgjedhore të Kosovës”, thuhet në reagim.
Ambasada Gjermane i bashkohet Misionit të OSBE-së duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse për të siguruar trajtim të barabartë për të gjitha mediat dhe për të mbështetur parimet e lirisë së medias dhe mosdiskriminimit.
Postimi i plotë:
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!