Orav: Ju lutem, konstituoni Kuvendin dhe Qeverinë

Orav: Ju lutem, konstituoni Kuvendin dhe Qeverinë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, sot në një deklaratë para gazetarëve ka bërë apel që të themelohen sa më shpejt institucionet e reja.

Orav theksoi se Kuvendi duhet të konstituohet sa më shpejt që të jetë e mundur.


“…Shpresa jonë është që Kuvendi të konstitutohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe shpresojmë që edhe të ketë një qeveri të plotë sa më shpejt…Ju lutem, konstituoni Kuvendin dhe ju lutem konstituoni Qeverinë”, është shprehur Orav.

Ndryshe, një ditë më parë Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar si të pranuar kërkesën e dhjetë deputetëve të Listës Serbe për çështjen e zgjedhjes së nënkryetarëve, prandaj, ka vendosur që seanca konstituive e filluar më 15 prill nuk ka përfunduar.

Në njoftim thuhet se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 30 shtator 2025 vendosi përkitazi me kërkesën KO265/25, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procesverbaleve të seancave të Kuvendit të Kosovës”, si dhe vendimeve të nxjerra në kuadër të Seancës Konstituive më 26 dhe 28 gusht 2025, të parashtruar nga Igor Simic dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, njëzëri, ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuesja tutje ka urdhëruar që seanca konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi.

Qytetarët e Kosovës kanë votuar në zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt 2025 dhe që atëherë vendi është ende pa institucione të reja të dala nga ato zgjedhje. /Telegrafi.