Partitë opozitare në Kosovë kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për një raund të ri takimesh.
PDK-ja dhe LDK-ja kanë bërë me dije se çdo bashkëbisedim duhet të shtyhet deri më 31 mars, kur pritet të publikohet verdikti i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Partia Demokratike e Kosovës, duke falënderuar për ftesën e Kurtit, ka theksuar se duhet të respektohet procesi institucional dhe të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë. Partia Demokratike e Kosovës beson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend”, është thënë në komunikatën e VV-së.
Edhe kryetari i LDK-së tha se është i gatshëm ta takojë Kurtin, një orë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, por jo më herët.
“Duke qenë se çështja e zgjedhjes së presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj”.
Ndërsa, Besnik Tahiri i AAK-së ka deklaruar se ftesa e kryeministrit Albin Kurti për takime me opozitën në çështjen e presidentit, sipas tij, është përpjekje për ta përmbysur narrativën e bllokadës që e ka krijuar vetë, dhe njëkohësisht, siç tha ai, për të dërguar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar më herët se kishte planifikuar takime të reja me liderët e opozitës për fillimin e javës së ardhshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


