Partitë opozitare përshëndesin propozimet e Komisionit të Venecias lidhur me ligjet për Prokurori Publike dhe Këshillin e Prokurorëve dhe kritikojnë pushtetin që deri tani nuk kanë arritur të realizojnë reformat e nevojshme në gjyqësor.
Kreu i LSDM-së Venko Filipçe tha se edhe pse kanë formuar ekip të ekspertëve, vërejtjet e tyre për ligjet reformuese nuk janë marrë fare parasysh dhe nuk ka asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë. 12 ligjet nga agjenda reformuese lëre që nuk janë miratuar në Kuvend por as nuk janë dorëzuar tha Filipçe.
“Dhe qartë tregojnë se nevojiten reforma në sistemin juridiko-ligjvënës. Si asnjëherë më parë, para disa muajsh u përpoqa të ndryshoj kulturën politike dhe isha në takim te kryeministri. Një nga gjërat për të cilat bisedova ishte që bashkërisht të punojmë në agjendën reformuese, të sjellim të gjitha ligjet reformuese në gjyqësor, që të lëvizë ai segment përpara, që të lëvizim drejt Europës ashtu siç presin të gjithë nga ne, ashtu siç qytetarët tanë duan ta shohin”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Propozimin e Komisionit të Venecias e përshëndesin edhe nga AKI. Nga atje madje shtojnë se përpos 2/3 të votave në Kuvend, të shtohet edhe badenteri.
“Sigurisht se ne mbështesim një rekomandim të tillë dhe shtojmë se përpos 2/3 të votave duhet të ketë edhe shumicë të badinterit në përzgjedhjen e kryeprokurorit në mënyrë që të ndërtojmë institucione të fuqishme ku do të kenë besimin e të gjithëve që do të kenë një konsensus të gjerë. Pra, 2/3 plus badenteri në mënyrë që të kemi një kryeprokuror të ri, me një mandat dhe pa të drejtë rizgjedhjeje ashtu siç thotë edhe komisioni i Venecias”, u shpreh Arbër Ademi, AKI.
Për tu miratuar propozimet e Komisionit të Venecias, nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend, respektivisht nevojitet ndryshimi i Kushtetutës. Shumica parlamentare nuk i ka numrat e nevojshëm por për ligjet reformuese nuk do të ishte problem mbështetja e partive opozitare. Problem ngelet çështja e ndryshimeve të tjera kushtetuese sikurse futja e bullgarëve në Kushtetutë si kërkesë nga Bullgaria, diçka që për momentin tek OBRM-PDUKM nuk ka vullnet për ta bërë.
Pikërisht për shkak mungesës së shumicës së 2/3 dhe mungesës së badenterit, në Kuvend kanë ngecur edhe disa ligje të tjera të rëndësishme sikurse propozim ligji për vetqeverisje lokale por edhe ndryshimet e kodit zgjedhor. Sipas agjendës së reformës, Ligji për Prokurori Publike dhe Ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë duhet të miratohen në Parlament deri në dhjetor të këtij viti.