Opinion | Përparim Rama: Çfarë mund të dëgjojë OKB-ja nga qytetet e botës

Opinion | Përparim Rama: Çfarë mund të dëgjojë OKB-ja nga qytetet e botës

Ndërsa Kombet e Bashkuara (OKB) shënojnë sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme nën temën “Më mirë së bashku: 80 vjet e më shumë për paqe, zhvillim dhe të drejta të njeriut”, sytë e botës kthehen kah Nju Jorku.

Megjithatë, e ardhmja e paqes, zhvillimit dhe të drejtave nuk vendoset vetëm në sallat diplomatike. Ajo përjetohet dhe vihet në provë çdo ditë në qytete.

Nëse OKB-ja dëshiron të mbetet relevante për tetëdhjetë vitet e ardhshme, duhet t’i dëgjojë më afër mësimet e lidershipit lokal.

Paqja dhe përfshirja nisin lokalisht

Paqja nuk është thjesht mungesë konflikti; ajo është prania e besimit, mundësive dhe dinjitetit njerëzor.

Askund kjo nuk është më e prekshme sesa në qytete, ku fqinjët me prejardhje të ndryshme duhet të ndajnë të njëjtat shkolla, rrugë dhe hapësira publike.

Në qytetin tim, Prishtinë, kemi parë se si qeverisja lokale mund të bëhet një urë për pajtim dhe përfshirje.

Kur familjet mblidhen në sheshe të ridizajnuara, kur të rinjtë e shohin veten të përfaqësuar në vendimmarrje, kur komunitetet ftohen të formësojnë hapësirat e tyre të përbashkëta, kështu ndërtohet paqja nga poshtë-lart.

Pikërisht kjo përvojë e jetuar e bashkëjetesës i jep përmbajtje idealeve të larta që diskutohen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Bota duhet të njohë se ndërtimi i paqes në nivel lokal është vija e parë e stabilitetit global. Pa qytete gjithëpërfshirëse, asnjë komb nuk mund të ruajë paqe afatgjatë.

Zhvillimi dhe qëndrueshmëria janë ‘urbane’

Shtatëdhjetë për qind e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm varen nga veprimi lokal.

Qytetet janë vendi ku ndryshimet klimatike ose përshpejtohen ose mposhten, ku inovacioni ose lulëzon ose pengohet, dhe ku mirëqenia njerëzore ndihet më drejtpërdrejt.

Prishtina, si shumë qendra urbane, po investon në transport të qëndrueshëm, energji të pastër dhe hapësira të gjelbra publike.

Projekte si zgjerimi i bulevardeve për këmbësorë, mbjellja e mijëra drunjve dhe modernizimi i menaxhimit të mbeturinave tregojnë se zhvillimi nuk është një premtim abstrakt, por një realitet i dukshëm i përditshëm.

Kjo është e vërtetë kudo në botë, nga komunat e vogla deri tek metropolet gjigante.

Janë kryetarët e komunave dhe liderët lokalë ata që testojnë dhe zbatojnë zgjidhjet që mbajnë gjallë Agjendën 2030. Nëse OKB-ja kërkon përparim më të shpejtë, duhet t’i trajtojë qytetet jo si shënime anësore, por si partnerë në qeverisjen globale.

Të drejtat e njeriut përmes qeverisjes së përditshme

Të drejtat e njeriut nuk mbrohen vetëm në gjykatat ndërkombëtare. Ato garantohen ose shkelen në mënyrën se si një qytet ofron strehim, ujë të pastër, lëvizshmëri, arsim dhe siguri publike.

Kur një komunë siguron autobusë të sigurt për nxënësit, ajër të pastër për fëmijët, ose qasje në shërbime digjitale për të moshuarit, ajo po mbron të drejtat më themelore të njeriut.

Po ashtu, kur korrupsioni ua bllokon qytetarëve qasjen e drejtë në këto shërbime, të drejtat cenohen.

Qytete si Prishtina po eksperimentojnë me forma të reja të transparencës dhe demokracisë digjitale.

Buxhetet e hapura, planifikimi pjesëmarrës dhe panelet digjitale për qytetarët janë mjete që e sjellin llogaridhënien drejtpërdrejt te njerëzit. Në këtë mënyrë, qeverisja lokale bëhet mbrojtje e përditshme e dinjitetit njerëzor.

Një thirrje për veprim për OKB-në

Për tetëdhjetë vjet, OKB-ja ka mbajtur shpresat e botës për paqe dhe drejtësi.

Por sfidat e shekullit tonë, si ndryshimet klimatike, pabarazia, migrimi dhe transformimi digjital, ndihen së pari dhe më intensivisht në qytete.

Për të mbetur efektive, OKB-ja duhet ta zgjerojë vizionin e saj përtej shteteve dhe t’i japë një zë më të fuqishëm komunave dhe komuniteteve ku do të formësohet e ardhmja e njerëzimit.

Liderët lokalë nuk janë lojtarë dytësorë. Ata janë zbatuesit e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, mbrojtësit e besimit dhe inovatorët e zgjidhjeve që mund të përsëriten në shkallë më të gjerë.

Një OKB që i dëgjon qytetet do të jetë një OKB që mbetet relevante për tetëdhjetë vitet e ardhshme.

Si kryetarë komunash, ne jemi të gatshëm të kontribuojmë.

Nga Prishtina në Nju Jork, nga qytetet e vogla deri në kryeqytetet e mëdha, qytetet janë laboratorët e gjallë të paqes, zhvillimit dhe të drejtave. OKB-ja duhet ta përqafojë këtë realitet.

Sepse “më mirë së bashku” nuk është vetëm një slogan për liderët globalë, por një e vërtetë e përditshme në çdo rrugë ku qytetarët mblidhen, lidhen dhe ndërtojnë një të ardhme të përbashkët.

Përparim Rama – Kryetar i Komunës së Prishtinës, Kosovë.

 

The post Opinion | Përparim Rama: Çfarë mund të dëgjojë OKB-ja nga qytetet e botës appeared first on Klan Kosova.