Operacioni “Roja Lindore”, NATO vendos pajisje në kufi me Rusinë dhe Bjellorusinë

Operacioni "Roja Lindore", NATO vendos pajisje në kufi me Rusinë dhe Bjellorusinë

NATO do të forcojë krahun lindor të Evropës, duke përfshirë përdorimin e burimeve ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar, pas shkeljes “të pamatur dhe të papranueshme” të hapësirës ajrore polake nga Rusia.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, njoftoi operacionin ‘Roja Lindore’, që përfshin vendosjen e pajisjeve në kufirin me Bjellorusinë, Rusinë dhe Ukrainën për të penguar agresionin e mundshëm rus.


Polonia rrëzoi dronë rusë që fluturuan mbi vend të mërkurën, diçka që aleanca ushtarake e ka portretizuar si një përpjekje nga Moska për të testuar përgjigjen ushtarake të NATO-s.

Kjo nënvizon shqetësimet e vjetra në lidhje me zgjerimin e mundshëm të luftës trevjeçare të Rusisë në Ukrainë, shkruan skynews.

Rusia tha se dronët e saj humbën rrugën sepse u bllokuan, por udhëheqësit evropianë besojnë se inkursionet ishin një provokim i qëllimshëm nga Rusia.

“Është e pamatur dhe e papranueshme. Nuk mund të lejojmë që dronët rusë të hyjnë në hapësirën ajrore të aleatëve”, tha Rutte në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se aleatët, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe Danimarkën, deri më tani janë angazhuar në mision, me të tjerë që do të bashkohen.

Ndryshe, NATO tashmë ka forca të konsiderueshme në Evropën Lindore, duke përfshirë mijëra trupa, por aleanca nuk shpjegoi se sa forca shtesë do të përfshiheshin në operacionin e ri. /Telegrafi/