Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka zhvilluar një operacion të suksesshëm në tri lokacione në komunën e Vushtrrisë.
Sipas një komunikate të përbashkët, operacioni është realizuar mëngjesin e sotëm në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë – dega në Vushtrri, për kontrollimin e shtëpive të katër personave të dyshuar.
Kontrollet janë kryer në dy lokacione në fshatin Ropicë dhe një në qytetin e Vushtrrisë, ku si rezultat janë arrestuar katër persona.
Tre prej tyre dyshohen për veprën penale “Detyrimi”, ndërsa personi i katërt ishte në kërkim për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria”.
Me vendim të prokurorit të rastit, të katër të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se operacioni është ende në vijim.
Organet e rendit dhe drejtësisë do të vazhdojnë hetimet dhe veprimet e mëtejme në funksion të zbardhjes së plotë të këtij rasti./Telegrafi/