E enjte, 11 Dhjetor, 2025
spot_img
HomeShëndetësiOksigjeni, kur burimi i jetës bëhet armë e vdekjes

Oksigjeni, kur burimi i jetës bëhet armë e vdekjes

Përsosmëria është në mes.

Se mesi është i florinjtë na e tregon edhe burimi i jetëve tona – oksigjeni.

Mungesa dhe tepria e tij rezulton të jetë fatale për jetën.

William Kaelin Junior, të cilin pata mundësinë ta intervistoj së fundmi, u nderua me çmimin Nobel për Mjekësi dhe Fiziologji më 2019, përkrah Peter J. Ratcliffe-t dhe Gregg L. Semenzas, për zbulimin se si “qelizat e perceptojnë dhe i përshtaten disponueshmërisë së oksigjenit”.

Zbulimet e tyre shqyrtojnë rrugën se si mutacionet në gjenet frenuese të tumorit mund të çojnë në zhvillimin e kancerit. Së bashku, zbulimet e e tyre hapën rrugën për strategji të reja trajtimi për një rang sëmundjesh – pos kancerit, edhe të atyre të zemrës dhe anemisë.

Ama, muret e korridorit që ndoqi Kaelini drejt këtij suksesi shfaqin disa portrete frymëzimi. Sakrifica e babait të tij për t’u arsimuar e pastaj për t’ua siguruar një gjë të tillë fëmijëve të tij; përkushtimi i nënës së tij amvise që t’i ndihmojë të birit në mësime, aftësia e bashkëshortes së tij të ndjerë për të balancuar rolin si nënë dhe atë si kirurge janë tri kryesoret në këtë ekspozitë.

Sa i pasionuar për shkencën është po aq i rreptë rreth saj, teksa mëton që  asaj t’i ruhet serioziteti dhe misioni nga përtacët, egocentrikët e mashtruesit. Shkencëtari amerikan ka dy fjalë për shkencëtarët kosovarë, ku sipas tij, pikërisht mungesa e burimeve mund të jetë avantazh, duke i bërë ata më të burimshëm dhe kreativë, teksa ngjitin rrugën lart drejt njohurive dhe zbulimeve.

Peter J. Ratcliffe, Greg L. Semenza dhe William Kaelin

Ju u nderuat me Çmimin Nobel “për zbulimet tuaja se si qelizat ndjejnë dhe përshtaten me disponueshmërinë e oksigjenit.” A mund të shpjegoni shkurtimisht, me fjalët tuaja, çfarë përfshinte ky zbulim dhe sa përpjekje shkencore u desh?

Udhëtimi ynë filloi në vitin 1993. Atëherë u izolua një gjen. E quajmë shkurt VHL, që vjen nga von Hippel Lindau, emri i dy mjekëve që përshkruan një sëmundje që sot quhet sëmundja von Hippel Lindau. Ky është një gjen që e quajmë gjen frenues i tumorit, pra një gjen që kontribuon në kancer kur është i çaktivizuar, ndryshe nga onkogjenet që kontribuojnë në kancer kur aktivizohen. Unë isha mjek klinik dhe e dija që tumoret që shihen në familjet që kanë mutacione në gjenin VHL janë famëkeqe për prodhimin e sinjaleve molekulare të stresit që edhe ne do të fillonim t’i prodhonim nëse nuk kishim oksigjen të mjaftueshëm, për shembull nëse shkojmë në lartësi të mëdha. Dija që ndër këto kancere ishte edhe kanceri i veshkës dhe mendova se nëse studiojmë këtë gjen, do të mësojmë diçka për një kancer të zakonshëm, siç është kanceri i veshkës, dhe gjatë rrugës mund të mësojmë diçka mbi perceptimin e oksigjenit sepse dukej se ky perceptim ishte e çrregullt në këto tumore. Ky rezultoi të jetë një supozim shumë i mirë. Na mori rreth tetë apo nëntë vjet, në fakt më pak, më saktë shtatë apo tetë vjet, që të arrinim në tw kuptuarit e mënyrës sesi ndodh perceptimi apo hetimi i oksigjenit, gjë që solli Çmimin Nobel.

Që t’i bie shkurt, kemi rreth 20 mijë gjene, dhe mund t’i shohim gjenet si plane për të bërë proteina të veçanta, por disa qindra prej tyre ndihmojnë trupin të përgjigjet dhe përshtatet në kushtet e mungesës së oksigjenit. Dihej nga punimet e disa laboratorëve, përfshirë laboratorët e laureatëve të tjerë, se për t’i aktivizuar këto gjene, ato kontrollohen nga një proteinë tjetër që shkencëtarët e quajnë HIF për shkurt. Ne dhe të tjerët zbuluam se kur ka mjaft oksigjen, një kompleks që përmban proteinën VHL shkatërron HIF-në, dhe kur oksigjeni mungon, VHL-ja nuk ndërvepron më me HIF-në, dhe HIF-ja mund të aktivizojë qindra gjene që ndihmojnë në përshtatjen ndaj hipoksisë (mungesës së oksigjenit). Në fund, treguam se pranë oksigjenit, një grup kimik i quajtur hidroksil i shtohet HIF-së në një vend të caktuar, që ne e quajmë mbetje e prolinës, dhe kjo shërben si sinjal për proteinën VHL që të lidhet. Kjo ishte shumë përmbushëse sepse grupi hidroksil përbëhet thjesht nga një atom oksigjeni dhe një atom hidrogjeni, kështu që kuptohej se shtimi i tij lidhet me praninë e oksigjenit. Pra, në thelb punuam për të kuptuar qarkun që lejon qelizat të hetojnë dhe t’i përgjigjen oksigjenit, dhe që dy lojtarët kryesorë janë këto dy proteina, VHL-ja dhe HIF-ja.

Si ka ndikuar ky zbulim në zhvillimin e ilaçeve dhe trajtimeve të reja? A mund të ndani disa shembuj konkretë ku ka bërë ndryshim?

Po, së pari, e dimë që kancerët kanë nevojë për oksigjen për të mbijetuar, dhe disa janë shumë të mirë në “kapjen” e sistemit për të mashtruar trupin që t’iu sigurojë oksigjen. Po flas përsëri për kancerin e veshkës, i cili është ndër më të famwkeqwt. Ne kemi treguar se në kancerët e veshkës, HIF-ja e tepërt është pjesë e problemit, dhe posaçërisht disa anëtarë të familjes HIF, si HIF 1, HIF 2 dhe HIF 3. Por, HIF 2 duket të jetë problemi në kancerin e veshkës. Tani kemi ilaçe të reja që bllokojnë specifikisht HIF 2, që janë efektive jo vetëm për tumorët që vijnë nga sëmundja von Hippel Lindau, që është një gjendje e rrallë, por edhe për kancerët e veshkës që nuk janë trashëgues. Kjo sepse mësuam shpejt se edhe në kanceret jotrashëguese të veshkës, gjeni VHL zakonisht është defektiv, por këtu jo për shkak të një mutacioni që e merr nga nëna ose babai, por për shkak të një mutacioni që fitohet gjatë ngjizjes. Nga ana tjetër, tani kemi edhe ilaçe që mund të stabilizojnë HIF-në dhe të nxisin prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, dhe përdoren në mbarë botën për trajtimin e anemisë.

Çfarë rrugësh të reja kërkimi kanë hapur gjetjet tuaja?

E dimë që ai grup i vogël kimik hidroksil që i shtohet HIF-së, i shtohet nga një proteinë tjetër që nuk e kemi përmendur ende, e cila ka disa emra qesharakë… shkencëtarët njihen që përdorin emra të çuditshëm. Por enzimat janë proteina që përshpejtojnë reaksionet kimike. Pra, e dimë që ky grup hidroksil i shtohet HIF-së nga enzima të veçanta që i quajmë hidroksilaza të prolinës. Shpejt u bë e dukshme që këto enzima kanë kushërinj të largët që përfshijnë edhe enzima që modifikojnë mënyrën sesi paketohet ADN-ja. Ne dhe të tjerët kemi treguar se disa prej këtyre enzimave janë gjithashtu të ndjeshme ndaj oksigjenit. Kjo krijon një lidhje tjetër midis pranisë së oksigjenit dhe mënyrës sesi ADN-ja paketohet dhe se si qelizat mund të ndryshojnë sjelljen e gjeneve të ndryshme. Gjithashtu kemi qenë të fascinuar për vite me radhë nga fakti që kancerët e veshkës herë pas here refuzohen nga sistemi imunitar. Së fundmi treguam se HIF-ja, ndoshta rastësisht, mund të rizgjojë në veprim disa elemente në ADN-në tonë që i quajmë retroviruse endogjene. Këto janë viruse të lashta që kanë hyrë në gjenomin tonë shumë vite më parë dhe zakonisht qëndrojnë në gjumë. Mirëpo, në disa raste, HIF-ja mund t’i rikthejë ato në veprim dhe kjo duket të jetë ajo që sistemi imunitar e njeh. Një gjë e tillë është shumë premtuese sepse tani mund të mendojmë për mënyra të reja për të sulmuar kancerin e veshkës dhe ndoshta për t’i synuar këto retroviruse endogjene dhe kancerët e tjerë.

Pse është të kuptuarit e gjenetikës së kancerit thelbësor për të ardhmen e onkologjis?

Kjo është një pyetje e mirë. Në biologji dhe mjekësi, një nga sfidat e mëdha është që kur matni diçka që ndryshon – dhe ka shumë teknologji të fuqishme për të matur nivelet e ndryshme të qelizave kanceroze, të proteinave, RNA-së, dhe metabolitëve të ndryshëm – çfarë është me të vërtetë shkaktare dhe çfarë është thjesht një dekorim ose diçka korrelative? Kujtoni historinë e të verbërve dhe elefantit, ku të verbrit preknin pjesë të ndryshme të elefantit dhe nxirrnin përfundime të gabuara për atë çfarë ishte elefanti. Thjesht përshkrimi i elefantit nuk jua jep kuptimin e tij të vërtetë. Në biologji dhe mjekësi doni të dini se ajo që studioni është shkaktare dhe jo thjesht pasojë apo një dekorim i pakuptimtë në lidhje me atë që po e studioni. Kur keni gjenetikën në anën tuaj, e dini që po studioni diçka shkaktare. Kështu që ishte shumë e qartë nga pacientët me sëmundjen von Hippel-Lindau që një mutacion në gjenin VHL shkakton, ndër të tjera, kancer në veshka. Kjo është një pikë e mirë nisjeje sepse të paktën po studioni diçka shkaktare. Nëse kuptoni më shumë për gjenin VHL, do të dini më shumë për kancerin e veshkës. Kjo është në kontrast me thjesht matjen e shumë gjërave dhe shpresën që diçka është shkaktare, ndërkohë që shumica janë vetëm lidhje rastësore/korrelative ose dekorime pa kuptim. Ne nuk duam thjesht të përshkruajmë, duam të kuptojmë. Mënyra më e mirë për këtë është të keni gjenetikën në anën tuaj.

Hulumtimet tuaja kanë eksploruar funksionin e oksigjenit në qeliza. Por, çfarë do të thotë oksigjeni për ju në mënyrë figurative?

Nuk jam i sigurt nëse kam menduar ndonjëherë në këtë rrafsh. Oksigjeni, siç e dini, është thelbësor për jetën. Një situatë ku ka pak oksigjen është e rrezikshme, por edhe kur ka shumë oksigjen është e dëmshme. Oksigjeni është kudo dhe përgjegjës për jetën në planet, ashtu siç e dimë. Nga trajnimi klinik e dija që ka shumë sëmundje ku oksigjeni ka rol, si në sulmet në zemër apo në goditjet në tru, ku nuk ka mjaftueshëm gjak që arrin në organ dhe kështu nuk dërgohet mjaftueshwm oksigjen. Pra, jam shumë pragmatik dhe thjesht e shoh si një përbërës jetik të jetës. Andaj, më dukej se ia vlente të studiohej.

Duke reflektuar mbi kohën tuaj në Shën Agnes, ku shumë gra të zgjuara ishin të kufizuara vetëm në karriera si infermiere, mësuese ose murgesha, si u përkthye kjo në një mbështetje  për gratë në punën tuaj?

Edhe pse përparimi në këtë fushë ka qenë shumë i ngadaltë, shyqyr kemi bërë disa hapa përpara në drejtim të barazisë më të madhe për gratë në punë. Mendoj se do t’ia nisja me nënën time, e cila ishte një grua e shkëlqyer – e cila u bë amvise. Por, unë mund ta shihja se sa e zgjuar ishte. Mendoj se në një epokë tjetër, ndoshta ajo do të kishte punuar jashtë shtëpisë, jo brenda saj. Tani, sigurisht ndihem pak egoist, sepse unë kam përfituar nga fakti që ajo ishte amvise dhe ishte gjithmonë aty për të më udhëhequr dhe për të më ndihmuar me detyrat, etj., etj. Por, siç dihet, në epokën e sotme, veçanërisht me mbështetje të mjaftueshme, nuk ka asnjë arsye pse gratë nuk mund t’i bëjnë të dyja. Mendoj se gruaja ime e ndjerë ishte një nënë e mrekullueshme, por gjithashtu një kirurge e shkëlqyer. Ajo gjeti kohë për t’i bërë të dyja mirë dhe i konsideronte të dyja rolet jashtëzakonisht përmbushëse. Pra, siç thoni edhe ju, unë gjithashtu shikoj pas me mirënjohje për disa nga gratë që kam pasur si mësuese, jo vetëm në Shën Agnes, por edhe më vonë në shkollën e mesme. Disa prej tyre, përsëri, dyshoj se sot ndoshta nuk do të ishin mësuese, por unë kam përfituar nga aftësitë e tyre brilante të mësimdhënies. Prandaj përpiqem të jem i vetëdijshëm për këtë. Sigurisht përpiqem që në sjelljen time, qoftë duke udhëhequr një laborator apo kur jam anëtar i ndonjë bordi apo pjesë e një komisioni të qëndrueshëm, t’i kem parasysh të gjitha këto dhe të jem sa më neutral-gjinor që mundem.

Ju dhe gruaja juaj e ndjerë, Dr. Carolyn Kaelin, ua përkushtuat jetët kërkimit dhe kujdesit për kancerin. Pas diagnostikimit dhe vdekhes së saj nga kjo sëmundje, si ndikoi kjo në perspektivën tuaj si shkencëtar?

Së pari, unë isha onkolog aktiv kur isha më i ri dhe padyshim kam parë shumë njerëz duke e kaluar këtë rrugëtim me të dashurit e tyre, por ju nuk e dini sa shkatërruese është deri sa ta përjetoni vetë në lëkurën tuaj. Prandaj, kam një vlerësim edhe më të madh për rëndesën që kjo sëmundje e  ka te njerëzit dhe familjet e tyre. Më pëlqen të mendoj se isha një doktor empatik më parë, por dyshoj se do të isha edhe më empatik tani nëse do të kthehesha si doktor klinik, megjithatë mendoj se duhet patjetër të ruani një nivel objektiviteti kur jeni doktor, kështu që ndoshta shumë empati mund të jetë kundërproduktive. Gjithmonë më pëlqen të mendoj se kam bërë shkencën time për arsyet e duhura dhe jam përpjekur ta bëj në mënyrën e duhur, por tani mendoj se kam edhe më pak tolerancë për ata njerëz që bëjnë shkencë të shkujdesur dhe përtace, ose për ata njerëz që bëjnë shkencë vetëm për t’iu përkëdhelur egoja dhe jo për ta bërë si duhet. Pra, mendoj se jam bërë edhe më pak tolerant ndaj atyre që e shkurtojnë rrugën dhe publikojnë gjëra që në fakt nuk janë shumë të dobishme.

Gruaja e ndjerë e William-it, Carolyn Kaelin (majtas), dhe nëna e tij, Nancy Horn Kaelin (djathtas)

Keni thënë se kuptuat se nuk ishit tipi i matematikanit gjeniu, prandaj kërkuat një drejtim më praktik. Çfarë do t’u thoshit studentëve që po përpiqen të gjejnë atë që u përshtatet?

Do të thoja disa gjëra. Një nga gjërat që mendoj se i kam bërë mirë ishte se kuptova herët që lëndët që kërkonin shumë mësim përmendësh nuk do të ishin shumë të dobishme për mua nëse nuk do t’i përdorja çdo ditë ato informacione. Kam menduar drejt, besoj, që lëndët më të rëndësishme ishin ato që ju ndihmojnë të mendoni në mënyrë logjike dhe të qartë, po ashtu lëndët që ndihmojnë në ushqimin e imagjinatës dhe kreativitetit për zgjidhje problemesh, ose për disa njerëz të tjerë, ndoshta për të krijuar art. Pra për mua, studimi i matematikës, shkencave kompjuterike, pak i filozofisë, dhe i disa prej shkencave të vështira si fizika dhe kimia ishin shumë të vyeshme, sepse ato më disiplinuan të mendoj qartë dhe logjikisht. Matematika ishte shumë e mirë për mua. Mund të mos jetë lëndë për të gjithë, por për mua ishte një eksperiencë shumë e mirë për të mësuar të mendoj qartë. Matematika shpesh ka vetëm një përgjigje të saktë dhe të gjitha përgjigjet e tjera janë gabim. Më pëlqejnë lëndët e tilla. Nuk më pëlqejnë ato që janë shumë, shumë subjektive. Përpiqem të projektoj eksperimente që të jenë sa më pak të paqarta në mënyrë që të na japin një përgjigje. Pastaj, mendoj se është kryesore të gjeni pasionin tuaj, atë që ju jep gëzim. Kam kuptuar që herët se tendenca ime, ndoshta si e shumicës së njerëzve, ishte të jem i mirë në ato që më pëlqenin dhe të më pëlqenin ato në të cilat isha i mirë. Pra, natyrshëm tendenca ime ishte të shmangja lëndët në të cilat nuk isha shumë i mirë dhe të tërhiqesha drejt atyre që isha më i mirë. Përfundimisht, nuk mendoj se është diçka e keqe të mësoni që herët se në çdo gjë që bëni, ekziston ndoshta të paktën një person që është më i mirë se ju. Nuk është diçka e keqe, mund të jetë një mësim i dhimbshëm, por nuk është i keq. Por, gjëja kryesore është a mund të më bëjë më të mirë ai person dhe a mund të mësoj prej tij/saj? Në rastin tim, kam takuar jo vetëm matematikanë shumë më të zgjuar se unë, por edhe shkencëtarë shumë më të zgjuar, por jam përpjekur që të mësoj prej tyre.

Sakrifica e babait tuaj për edukimin e tij çfarë ju mësoi për vlerën e arsimit?

Isha shumë me fat në shumë aspekte, dhe njëri prej tyre ishte fakti se babai im ishte i pari në familje që vijoi universitetin dhe ai e pa arsimin universitar si një rrugë për sukses dhe fatmirësisht kishte mundësi financiare për të siguruar që të gjithë ne të merrnim një arsimim të mirë. Tani, ku ai dhe unë mund të dallojmë pak, por mendoj se kjo është shumë e zakonshme midis studentëve të brezit të parë dhe të dytë universitarë: babai im ishte jashtëzakonisht pragmatik, kështu që ai mendonte se shkolla ishte thjesht një certifikatë për t’ju çuar drejt një karriere të suksesshme dhe aty mbaronte puna. Kështu që kishte një qasje shumë pragmatike ndaj universitetit dhe arsimit, ndërsa unë kam luksin, nëse mund ta quaj kështu, të kem një pikëpamje më të gjerë për atë që quhet arsim universitar. Sigurisht që nuk mendoj se universitetet duhet të jenë shkolla profesionale. Siç thashë më parë, mendoj se universiteti duhet të jetë një vend ku mësoni si të mendoni.

Dhe çfarë këshille do t’u jepnit studentëve nga vendet në zhvillim ose të vogla si Kosova, që ëndërrojnë të japin kontribut global përmes shkencës?

Do thoja disa gjëra, por natyrisht është pak e padrejtë sepse nuk mund t’i imagjinoj të gjitha sfidat me të cilat ndoshta disa studentë përballen në një situatë të botës në zhvillim. Ama, do të thoja disa gjëra: së pari, ndonjëherë kur studentët dhe të rinjtë në trajnim janë të rrethuar nga shumë pajisje të shtrenjta dhe teknologji të sofistikuara, ata mund të fillojnë të bëjnë shumë eksperimente të fuqishme, por nuk janë domosdo eksperimente që gjithmonë ju detyrojnë të jeni i zgjuar dhe krijues dhe të mendoni thellë. Prandaj, unë shmang eksperimente ku thjesht është çështje mbledhjeje mostrash dhe e vendosjes së tyre në një makinë të madhe dhe të shtrenjtë që do të prodhojë një grup të dhënash për publikim, sepse kjo është në fakt inxhinieri, jo shkencë. Unë preferoj atë lloj shkence ku duhet të jeni të burimshëm, të zgjuar dhe kreativ, dhe ndonjëherë mungesa e burimeve ju detyron të bëni kështu dhe ndoshta gjeni një zgjidhje më të mirë sesa ajo që kërkon shumë para dhe burime të tjera. Së dyti, unë gjithmonë fokusohem te trajektorja e një personi, kështu që më pëlqen të shoh çfarë ai ose ajo ka bërë me burimet që kishte në atë kohë në dispozicion dhe me situatën në të cilën ndodhej. Prandaj, mendoj se çelësi i jetës është të nxirrni sa më shumë nga çdo fazë në të cilën ndodheni, por pastaj të përpiqeni të ngjiteni më lart, të mësoni çfarë mundeni dhe të bëni çfarë mundeni, por ndoshta në tranzicionin tjetër të jetës, mund të përpiqeni më shumë, dhe në disa raste kjo mund të kërkojë të largoheni nga vendi juaj dhe të kërkoni trajnim diku tjetër me shpresën se ndoshta një ditë do të ktheheni. Por, gjithçka ka të bëjë me atë që mund të mësoj tani, me burimet dhe mjedisin që kam në dispozicion, dhe pastaj t’u tregoj vërtet njerëzve që jam i veçantë, dhe ndoshta në tranzicionin tjetër të mund të ngjitem edhe më lart.

The post Oksigjeni, kur burimi i jetës bëhet armë e vdekjes appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT