Oda Ekonomike e Kosovës ka deklaruar se ka përcjellë sot me shqetësim situatën kaotike që është krijuar nga vendimi i jashtëligjshëm i ZRrE-së për ndërprerjen e energjisë elektrike nga data 16 gusht.
Në reagimin e lëshuar për media, OEK pohon se vendimi i ZRrE-së ka goditur në mënyrën më të ulët bizneset, ekonominë e vendit dhe për më keq, qytetarët e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
OEK thotë se kanë pranuar ankesa nga bizneset se zyrtarët e KEDS-it, nën shoqërimin e policisë kanë shkuar në objektet dhe hapësirat e bizneseve për të ndërprerë energjinë elektrike.
“Prania e policisë ka krijuar një imazh shumë negativ tek kompanitë, sidomos tek investitorët e huaj. Qëndrimi prapa i aparaturës policore në ekzekutimin e këtij vendimi paraqet jo vetëm humbje shprese për të sjellë investime të huaja, por edhe humbje të mundësive për zgjerimin e investimeve të bizneseve vendore”, thuhet në njoftim.
Më tej, Oda Ekonomike shton se kanë pranuar raste kur bizneset kanë kontrata të lidhura, por zyrtarët e KEDS-it prapëseprapë kanë shkuar për të ndërprerë energjinë elektrike.
“Po ashtu, kemi biznese që nuk e plotësojnë kriterin ligjor për të dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike, megjithatë edhe atyre u është ndërprerë energjia. Kjo e tregon më së miri se procesi i daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka qenë fare i përgatitur”.
OEK për të gjitha pohimet më lartë i bënë thirrje ZRrE-së të ndalojë menjëherë këto veprime arbitrare (dhunshme) dhe të kthehet në dialog me përfaqësuesit e sektorit privat për të organizuar një tranzicion të mirëplanifikuar për daljen në tregun e lirë të energjisë.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohen bizneset të cilat përbëjnë 60% të ekonomisë së Kosovës, kanë të punësuar 143 mijë qytetarë të vendit dhe janë më meritorët për stadin ku ka arritur zhvillimi i shtetit të Kosovës”. OEK thekson se një vendimi të tillë si sot, të vetmit që iu janë gëzuar janë armiqtë e Kosovës.
KEDS-i ka njoftuar se sot ka filluar me shkyçjen e një mijë e 400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë që nuk kanë arritur marrëveshje me furnizues të licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji./Klankosova.tv
The post OEK: Vetëm armiqtë e Kosovës i janë gëzuar ndërprerjes së energjisë për bizneset dhe ekonominë appeared first on Klan Kosova.