Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka thënë se lansimi i Apple Pay në Kosovë është një hap i madh përpara për integrimin digjital dhe qasjes në produktet financiare të vendit.
Sipas OEAK-së, ky sukses bazohet në përpjekjet afatgjata të Presidencës së Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të mbështetura nga Byroja e Çështjeve Ekonomike dhe të Biznesit të DASh-it, të cilët sipas tyre, kanë punuar bashkë për ta çuar përpara sovranitetin digjital të Kosovës.
“Në angazhimet me kompanitë amerikane të teknologjisë, këto institucione mbështetën së bashku heqjen e barrierave digjitale që prekin Kosovën, duke përfshirë mungesën e shërbimeve si #ApplePay, përjashtimin e zhvilluesve me bazë në Kosovë nga regjistrimi i aplikacioneve dhe mungesën e dërgesës direkte të produkteve”.
“Në mënyrë parësore, koordinimi i ngushtë i Odës Ekonomike Amerikane, Zyrës së Presidentes së Republikës dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, hapi rrugën për takime ndërmjet institucioneve përkatëse dhe përfaqësuesve të kompanisë Apple. Ky dialogim ka hapur kanale të reja për angazhim të vazhdueshëm mbi përfshirjen dixhitale dhe integrimin ekonomik”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Për lanësimin e Apple Pay ka reaguar edhe vetë Presidenca, ku tha se ky është lajm i rëndësishëm.
Sipas Presidencës, më 8 maj shefja e Stafit të Presidentes, Learta Hollaj, bashkë me përfaqësues të OEAK-së, ambasadës amerikane dhe mbështetjen e DASh-it, realizuan një takim online me selinë qendrore të kompanisë Apple.
“Qëllimi i prezantimit ishte të paraqiste qartë sfidat me të cilat përballet Kosova në raport me platformat dhe shërbimet e Apple, si dhe ndikimin e tyre në sektorin e biznesit dhe në sovranitetin dixhital të vendit. Me aktivizimin e Apple Pay, Kosova po hedh hapa të rëndësishëm dhe konkret drejt integrimit të plotë në ekosistemin dixhital ndërkombëtar”.
“Për më shumë se një vit, Presidenca, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane e në koordinim me Ambasadën Amerikane, po punon për të avancuar sovranitetin dixhital të Kosovës dhe për të siguruar përfshirjen e saj në platformat globale”, thuhet në reagim.
The post Oda Ekonomike Amerikane dhe Presidenca e cilësojnë hap të rëndësishëm lansimin e Apple Pay në Kosovë appeared first on Klan Kosova.