Komuna e Obiliqit ka bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve, institucioneve dhe organizatave joqeveritare për t’u bërë pjesë e aksioneve të pastrimit që do të zhvillohen më 19 shtator 2025, në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Pastrimit.
Aktiviteti do të nisë nga ora 10:00 deri në 12:00, dhe do të shtrihet në disa zona kyçe të qytetit, përfshirë qendrën e Obiliqit, oborret dhe hapësirat e shkollave, QKMF-në dhe QMF-të, si dhe rrugët kryesore “Hasan Prishtina” dhe “Ferid Curri”.
Në njoftimin e Drejtorisë për Mbrojtje të Mjedisit thuhet se qëllimi i kësaj nisme është largimi sa më i madh i mbeturinave, përmirësimi i hapësirave publike dhe përcjellja e mesazhit të ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja.
Aksioni do të realizohet në bashkëpunim me NPL “Kastrioti” Sh.A, KRM “Pastrimi”, institucionet arsimore, shëndetësore, OJQ-të dhe qytetarët.
Komuna e Obiliqit ka apeluar tek banorët që të marrin pjesë në këto aktivitete, duke theksuar se mjedisi i pastër është përgjegjësi e përbashkët dhe një investim për shëndetin dhe mirëqenien e komunitetit. /Telegrafi/