Komuna e Obiliqit, përmes Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka njoftuar se në kuadër të aktiviteteve të Tetorit – Muaji Rozë, do të ofrohen kontrolle falas për mamografi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).
Nga data 6 tetor 2025, të gjitha qytetaret e interesuara do të kenë mundësi të kryejnë këto ekzaminime pa pagesë gjatë orarit të rregullt të punës.
Fillimisht rekomandohet kryerja e ultrazërit të gjirit, ndërsa sipas indikacioneve të mjekut, do të realizohet edhe mamografia, përcjell Telegrafi.
Shërbimet do të ofrohen nga mjekët radiologë të QKMF-së, dr. Aziz Dida dhe dr. Arbnore Sejdiu, të cilët do të bëjnë edhe interpretimin profesional të rezultateve.
Përmes këtij programi, Komuna e Obiliqit synon të rrisë vetëdijen për rëndësinë e shëndetit të grave dhe rolin parësor të kontrolleve parandaluese.
“Tetor, Muaji Rozë, është një kujtesë se parandalimi shpëton jetë – andaj kontrollohu në kohë”, thuhet në njoftimin e komunës. /Telegrafi/