Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, dhe kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, zhvilluan sot një takim të përbashkët me ekipet e tyre, ku u diskutua për koordinimin ndërkomunal dhe realizimin e projekteve me rëndësi për qytetarët e dy komunave.
Në kuadër të takimit, palët u dakorduan që të vazhdohet me projektin Solar4Kosova, duke përfshirë edhe implementimin e projekteve infrastrukturore në territorin e Obiliqit, si dhe nisjen e procedurave për projektin e Ngrohjes Qendrore nga stacioni i këmbyesve deri te lidhja me TC “Kosova B”, transmeton Telegrafi.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm për qytetarët është organizimi i konferencës për prezantimin e projektit “TRIM”, që pritet të mbahet në ditët në vijim.
Ky projekt parasheh zhvillimin e trafikut ndërurban në nivel të rajonit, duke përfshirë Kryeqytetin, Obiliqin, Fushë Kosovën, Lipjanin dhe komunat tjera përreth.
Po ashtu, dy kryetarët u pajtuan që ekipet e institucioneve të shtojnë dinamikën e punës në fushat e përbashkëta, përfshirë menaxhimin e materialeve dhe mbetjeve të rrezikshme, me synim mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve. /Telegrafi/