“Nxënësi në Gjakovë duhet të rivlerësohet”, inspektorati i Arsimit i prerë (VIDEO)

“Nxënësi në Gjakovë duhet të rivlerësohet”, inspektorati i Arsimit i prerë (VIDEO)

Inspektorati i Arsimit po e obligon shkollën “Mazllum Këpuska” që ta rivlerësojë nxënësin 12-vjeçar.

Kjo është hera e dytë që inspektorati merr këtë vendim, pasi që herën e parë shkolla nuk e përfilli.

Nxënësi 12-vjeçar ngeli në pesë lëndë: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Gjermane, Matematikë, Histori dhe Fizikë, çka ia pamundësoi kalimin në klasën e 7-të, raporton Klan Kosova.

Mirëpo, nëna e tij nuk pranon që djali i saj të përsëris klasën e 6-të.

Ajo pretendon se i biri i saj nuk është vlerësuar në mënyrë meritore nga mësimdhënësit, prandaj kërkon që atij t’i bëhet një rivlerësim.

Inspektorati i Arsimit më 19 shtator e shfuqizoi vendimin e fundit të Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe kërkoi që të formohet komisioni dhe nxënësi të rivlerësohet.

Ky inspektorat konstatoi se përbërja e komisionit ka qenë në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 06/2022, pasi që nuk kanë qenë mësimdhënësit e lëndëve përkatëse, ashtu siç e përcakton kjo dispozitë nënligjore.

Po ashtu, ky organ e theksoi faktin se komisioni nuk e ka përfillur obligimin që e ka pasur për rivlerësim të nxënësit.

Prandaj, e obligoi DKA-në që të formojë komisionin prej 3 anëtarëve në përputhje me kornizën ligjore dhe të bëjë rivlerësimin e nxënësit.

Drejtori i Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë, Ndrecë Përlleshi, apelon Drejtorinë e Arsimit që të veprojë me urgjencë sepse nxënësi ka një muaj që është privuar nga mësimi.

Përlleshi njoftoi se deri tani si organ kanë pranuar dy ankesa dhe për rastësi të dy janë nxënës të klasës së gjashtë.

Rasti i këtij nxënësi është udhëhequr nga Inspektorati i Prizrenit, pasi që sektori i këtij institucioni në Gjakovë ende nuk ka mbushur 6 muaj nga funksionimi dhe meqë puna e tij llogaritet provuese, nuk kanë të drejtë të marrin vendime. /Klankosova.tv

The post “Nxënësi në Gjakovë duhet të rivlerësohet”, inspektorati i Arsimit i prerë (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.