Nxënësi 13-vjeçar kapet me armë zjarri në shkollë në Ferizaj, Policia: Pronë e prindit me leje – pa fishekë

news image

Njësiti i planit operativ “Siguria në shkolla” nga Stacioni Policor i Ferizajt, sot, rreth orës 12:30 është njoftuar se në një shkollë të këtij qyteti një nxënës i mitur, 13-vjeçar, ishte parë me një armë zjarri në hapësirat e shkollës.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Sipas tij, policia ka reaguar menjëherë pas marrjes së informatës dhe gjatë kontrollit ka gjetur një pistoletë pa fishekë.

“Policia ka reaguar menjëherë dhe gjatë kontrollit ka gjetur armën (pistoletë) pa fishekë”, ka deklaruar Veseli, duke shtuar se arma ishte në pronësi të prindit të nxënësit, i cili posedonte leje të rregullt për mbajtje të armës.

Më pas, “arma e zjarrit dhe municioni janë konfiskuar nga prindi me proces të rregullt policor”, ka shtuar ai.

“I mituri, për shkak të moshës, nuk është intervistuar, në përputhje me ligjin”, ka pohuar Veseli, duke bërë të ditur se për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit – Departamenti për të Mitur, i cili “ka iniciuar shënim zyrtar, nën kompetencë të prokurorit për veprime tjera”.

Në fund, Veseli ka apeluar tek prindërit dhe të gjithë poseduesit e armëve me leje që të tregojnë kujdes të shtuar.

“Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë poseduesit e armëve me leje, e veçanërisht prindërit, që të sigurojnë armët e tyre në mënyrë të sigurt, duke parandaluar qasjen e fëmijëve apo personave të paautorizuar, me qëllim të ruajtjes së jetës dhe sigurisë publike”, ka përfunduar Veseli.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/