Nurboja i Alternativës shpalos programin zgjedhor: Kamp botëror për të rinjtë

Nurboja i Alternativës shpalos programin zgjedhor: Kamp botëror për të rinjtë

Reshat Nurboja, kandidat i Alternativës për kryetar të Pejës, në Edicionin Special të Klan Kosova, ka shpalosur pjesë të programit të tij zgjedhor.

Ai tha se prioritet i parë i tij është largimi i kryetarit aktual, Gazmend Muhaxheri, kurse si prioritet të parë zhvillimor, ai dhe partia e tij e ka ndërtimin e një kampi botëror të të rinjve nga mbarë bota në bjeshkët e Pejës.

“Si prioritet kryesor zhvillimor, e kemi ndërtimin e kampit botëror të të rinjve që parashohim ta ndërtojmë mbi bjeshkët e bashkësive territoriale Kapishnicë, Zatra dhe Karagaq ku planifikohet të vijnë brenda vitit rreth 100 mijë të rinj nga e gjithë bota. Do të ngritët në një lartësi mbidetare mbi 2500 metra dhe atje do të pushojnë dhe strehohen në tenda, e jo në hotele, sepse në ato bjeshkë të Pejës nuk do të ndodhë siç ka ndodhë me Rugovën”, tha ai.

Tutje, ai foli edhe për diasporën e Pejës, për çka tha se do të themelojnë Kuvendin e Diasporës.

“Meqenëse mbi 40% e qytetarëve të Pejës jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme nëpër botë, Alternativa do të themelojë Kuvendin e Diasporës që do të jetë organ ndërlidhës mes diasporës dhe vendlindjes, dhe sigurisht ata do të lobojnë për investime në komunën e Pejës”, deklaroi Nurboja.

Për të rinjtë, kandidati i Alternativës për komunën e Pejës, tha se do të ndihmojnë rininë përmes start-upeve të jenë më kreativë.

“Te punësimi, problemi më i madh është te të rinjtë. Ne mendojmë që përmes programeve start-up t’i japim mundësi kreativitetit të të rinjve dhe për këtë arsye do t’i ndajmë 1 milion euro që t’u ndihmojmë të rinjve që të vijnë në shprehje me ide e kreativitete dhe të largohet nga stereotipet që i kanë parë në sistemet e kaluara, u shpreh ai.

Tutje, për trafikun në Pejë, Nurboja tha se është kaotik, teksa shtoi se do të kërkojnë që përmes tenderit ndërkombëtar të marrin ndihmë nga jashtë.

“Trafiku në Pejë është kaotik dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm që s’kemi ekspertë në këtë lëmi dhe për këtë arsye ne planifikojmë ta shpallim një konkurs apo tender ndërkombëtar ku do t’i ndajmë 1 milion euro që ekspertët ndërkombëtarë të trafikut të na ndihmojnë ta zgjidhim problemin e trafikut për 100 vjetët e ardhshme”, deklaroi kandidati për të parin e Pejës nga Alternativa.

Ai tha se Alternativa e ka në plan edhe rivitalizimin e Parkut Karagaq, ku tha se nën të do ta bëjnë edhe parkingun e qytetit. /Klankosova.tv

The post Nurboja i Alternativës shpalos programin zgjedhor: Kamp botëror për të rinjtë appeared first on Klan Kosova.